Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh nënshkroi kontratat me OJQ-të përfituese nga thirrja publike në projektet për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit

Prishtinë, 23 korrik 2018

Ministria e Shëndetësisë nënshkroi sot kontratat me tridhjetë e një organizata jo qeveritare, përfituese të mbështetjes financiare nga  thirrja publike për financim të projekteve të OJQ-ve në fushën  “Ruajtja dhe Përparimi i Shëndetit”. 

Me rastin e nënshkrimit të këtyre kontratave, Ushtruesi i Detyrës së  Sekretarit të  i Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, dr. Naim Bardiqi tha se  objektivi i përgjithshëm i thirrjes për propozime ishte realizimi i aktiviteteve që i kontribuojnë Ruajtjes dhe Përparimit të Shëndetit, si dhe forcimi i partneritetit dhe bashkëpunimit me Organizatat Jo-Qeveritare që veprojnë në këtë fushë.

Ai tha se me rastin e përzgjedhjes së OJQ-ve fituese është zbatuar në mënyrë transparente Rregullorja e Ministrisë së Financave Nr.04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve. 

Tridhjetë e një OJQ-të fituese, do të realizojnë projektet në edukim dhe promovim të shëndetit; përmirësimin e shëndetit të grupeve të cenueshme; rehabilitimin fizikal dhe mendor të grupeve të cenueshme dhe përkujdesjen shëndetësore-ditore jashtë spitalore dhe shtëpiake. 

Vlera totale e planifikuar e thirrjes publike ishte 400,000.00 euro, kurse shuma minimale e projekteve individuale ishte 1,500.00 euro dhe ajo maksimale 99,000.00 euro. 

 OJQ-të kanë pasur mundësi të aplikojnë me më së shumti një projekt në kuadër të thirrjes publike, kurse periudha e zbatimit të projekteve fituese është  6-8 muaj.