Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh nënshkroi kontratë për ndërtimin e QKMF-së në Kaçanik

Prishtinë 20 dhjetor 2013

 

Ministria e Shëndetësisë,  Ambasada e Dukës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë,  Komuna e Kaçanikut dhe Fondacioni Caritas Luxembourg, nënshkruan sot në MSh kontratën për ndërtimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik.

 

Kjo kontratë u nënshkrua nga Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, Përfaqësuesi i Ambasadës së Dukës së Madhe të Luksemburgut, z. Pierre weber, Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi dhe Kryesuesi i Fondacionin Caritas Luxembourg,  Ardian Hasanaj.

 

Përmes nënshkrimit të kësaj kontrate, palët nënshkruese synojnë të përmirësojnë ambientin infrastrukturor për nevoja të qytetarëve të Kaçanikut përmes bashkë-investimit për ndërtimin e një objekti të ri të Qendrës Kryesore  të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.

 

I gjithë aktiviteti do të zbatohet me bashkë-financim të katër palëve: Ambasadës së Dukës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Kaçanikut dhe Fondation Caritas Luxembourg.

 

Sipas kontratës së nënshkruar, buxheti i gjithmbarshëm i nevojshëm për ndërtim të objektit të ri të QKMF-së në Kaçanik është ndërmjet 1.3-1.4 milionë euro. Kjo shumë përfshinë të gjithë specifikimin e  ndërtimit të objektit të ri. Për shkak të kostos së lartë të ndërtimit, palët, me pëlqim teknik edhe të arkitektit që ka zhvilluar planin ideor, janë pajtuar që ndërtimi potencialisht të ndahet në dy faza: faza e parë të zhvillohet gjatë vitit 2014, kurse faza e dutë gjatë vitit 2015 kur edhe do të përfundohet projekti.

 

Në këtë projekt, MSh do të kontribuojë me 650 mijë euro, Fondation Caritas Luxembourg me 200 mijë euro, Ambasada e Dukës së Luksemburgut me 45 mijë euro dhe Komuna e Kaçanikut me 350 mijë euro.

 

Ministri i Shëndetësisë. Ferid Agani, duke përgëzuar palët nënshkruese për këtë kontribut të përbashkët, uroi që projekti të implementohet me sukses dhe qytetarëve të Kaçanikut t’u sigurohen shërbime së më cilësore shëndetësore në një objekt të ri dhe me standarde të larta.