Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Nëpunësit e lartë shëndetësor kandidat në zgjedhje duhet të ofrojnë dorëheqje nga pozitat aktuale

Prishtinë, 22. 11. 2010

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës që nga data 19 nëntor 2010 i ka njoftuar të gjithë nëpunësit e kësaj Ministrie dhe ata të institucioneve shëndetësore,  se  bazuar në nenin 2, paragrafi a) i Udhëzuesit nr. MAP-01, nr. protokolli 737 datë 12. 11. 2010, për të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve civilë me rastin e kandidimit për zgjedhjet qendrore dhe lokale, “se nëpunësit civil në pozita udhëheqëse, drejtorët e institucioneve arsimore dhe shëndetësore dhe ndërmarrjeve publike komunale, duhet të japin dorëheqje nëse marrin pjesë si kandidat në zgjedhjet qendrore dhe lokale”.

Për këtë qëllim, MSh u ka kërkuar shërbyesve civil në pozita udhëheqëse që të paraqiten në Zyrën e personelit të MSH-së për të konfirmuar pjesëmarrjen eventuale në zgjedhje, në të kundërtën, veprimet që bien ndesh me udhëzuesin e lartshënuar, konsiderohen si shkelje serioze disiplinore.

Sipas nenit 47 të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin civil të Republikës së Kosovës, nëpunësit civilë në të gjitha nivelet e hierarkisë funksionale, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre politike për të votuar dhe  për t’u votuar si kandidat në zgjedhjet komunale ose qendrore, por të gjithë nëpunësit e hierarkisë funksionale, të cilët kandidohen në zgjedhjet qendrore ose lokale, duhet të lirohen nga detyra dhe janë të obliguar të marrin pushim pa pagesë gjatë kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore.