Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh nis distribuimin e dokumenteve unike shëndetësore

Pasi fillimisht MSh kishte ndarë mjete, me të cilat ka siguruar shtypjen e një sasie të konsideruar të dokumenteve unike shëndetësore, që nga kjo javë, këto dokumente faktikisht do të distribuohen në disa pilot qendra të Mjekësisë familjare, në të cilat do të nis trajnimi i stafit mjekësor për përdorimin e dokumentacionit unik shëndetësor.

Ky trajnim do të nis në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe disa qendra të tjera të kryeqytetit për të vazhduar si pilot projekt deri në fund të vitit edhe në qendra mjekësore të komunave të tjera.

Trajnimi i personelit mjekësor të Kujdesit Primar Shëndetësor mbështetet nga Ministria, ndërkohë që do të bëhet edhe certifikimi i trajnerëve që do ta bëjnë trajnimin e personelit për përdorimin e dokumentacionit unik shëndetësor.

Krejt ky proces pritet të zhvillohet deri në fund të këtij viti, ndërsa në fillim të vitit 2010, pritet edhe fillimi i përdorimit zyrtar të dokumentacionit.

Deri atëherë MSh do të analizojë informatat kthyese lidhur me ecurinë e implementimit të dokumentacionit në fazën testuese dhe varësisht prej informatave që merren, do të ndërmirren edhe veprime që kur dokumentacioni të nis zyrtarisht të përdoret, procesi të ecën me sukses.

Në bazë të testimeve të para, MSh ka informata se implementimi i dokumentacionit unik shëndetësor është mirëpritur dhe ka hasur në mbështetje të profesionistëve.

Implementimi i  dokumentacioni unik shëndetësor nënkupton përdorimin e 14 dokumenteve mjekësore unike tashmë të dizajnuara e shtypura, siç janë Udhëzimi për konsultime, Raporti kthyes nga konsultimi, Udhëzimi për Hulumtime Diagnostike, Raporti kthyes nga Diagnostika, Udhëzimi për dhënie të terapisë parenterale (receta për injeksione dhe infuzione, Receta për barna, Receta për barna narkotike, Raporti kthyes nga laboratori (analizat nga gjaku, analizat e hormoneve), Libreza sanitare, Regjistri i kartotekës, Regjistri i pacientëve dhe Regjistri për përdoruesit e narkotikëve.

Përmes aplikimit të këtij dokumentacioni, përveç tjerash, do të sigurohet evidencë e saktë për llojet e sëmundjeve të ndryshme në Kosovë, për numrin e përdoruesve të substancave narkotike, të cilat do të jepen vetëm me recetë dhe mbi të gjitha do të arrihet përmirësimi i sistemit të referimit, që është një nga problemet me të cilat ballafaqohet sot niveli primar dhe ai sekondar.