Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh nis testimin e dokumentacionit unik shëndetësor

MSh ka ndarë fillimisht mjete, me të cilat ka siguruar shtypjen e një sasie të konsideruar të dokumenteve unike shëndetësore, të cilat gjatë tre mujorit në vijim, do të përdoren në formën e një pilot projekti nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në vend. Pas kësaj periudhe, do të merret informata kthyese lidhur me ecurinë e implementimit të dokumentacionit dhe pritet që në fillim të vitit të ardhshëm, në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit të implementohet dokumentacioni unik shëndetësor që përfshin aplikimin e 14 dokumenteve mjekësore, siç janë Udhëzimi për konsultime, Raporti kthyes nga konsultimi, Udhëzimi për Hulumtime Diagnostike, Raporti kthyes nga Diagnostika, Udhëzimi për dhënie të terapisë parenterale (receta për injeksione dhe infuzione), Receta për barna, Receta për barna narkotike, Raporti kthyes nga laboratori (analizat nga gjaku, analizat e hormoneve), Libreza sanitare, Regjistri i kartotekës, Regjistri i pacientëve dhe Regjistri për përdoruesit e narkotikëve.

Gjatë periudhës testuese dhe trajnuese për personelin, do të shihen të arriturat rreth ngritjes së aftësive të personelit profesional për plotësimin e dokumentacionit, do të bëhet satisfaksioni i punëtorëve shëndetësor (vërejtjet, sugjerimet) dhe pas marrjes së informatave kthyese, MSh do të mund të nis me realizimin praktik të projektit për dokumentacion unik shëndetësor në nivel vendi.

Përmes aplikimit të këtij dokumentacioni, do të sigurohet evidencë e saktë për llojet e sëmundjeve të ndryshme në Kosovë, për numrin e përdoruesve të substancave narkotike, të cilat do të jepen vetëm me recetë dhe mbi të gjitha do të arrihet përmirësimi i sistemit të referimit, që është nja nga problemet me të cilat ballafaqohet sot niveli primar dhe ai sekondar.