Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh nxjerr raportin e monitorimit të higjienës në QKUK

Vizitat u realizuan pothuajse në të gjitha klinikat dhe shërbimet që janë të përfshira në këtë qendër, që është e vetmja qendër terciare dhe më e madhja në Kosovë.

Nga grupi është monitoruar çdo klinikë dhe repart me anë të observimit të drejtpërdrejtë të elementeve të higjienës dhe formës së anketimit të pacientëve dhe familjarëve të tyre, bazuar në indikatorët e marrë nga Standardet  Spitalore për Cilësinë e Shërbimeve /UA 09/2005, ndërsa monitorimi ka pasur për qëllim edhe dhënien e rekomandimeve për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për reduktimin e rrezikut nga infeksionet brenda-spitalore dhe ai i kryqëzuar.

Pas monitorimit disa ditor është konstatim i përgjithshme se higjiena  në përgjithësi gjatë fushatës monitoruese (të paralajmëruar) është ngritur dhe se ka pasur përmirësime, siç pranohet nga mjekë, infermierë, menaxhmenti i QKUK-së, por edhe vetë Kompania  “Krasniqi”.

Grupi i punës, ndërkaq, e ka pasqyruar në raportin e tij  situatën ashtu siç e ka gjetur në momentin kur është kryer monitorimi.

Grupi ka dhënë edhe disa rekomandime, në përputhje me të gjeturat e monitorimit, pasi që, krahas ngritjes së nivelit të higjienës, janë evidentuar edhe mungesa si në furnizimin e rregullt me  detergjente për duar, dezinfektues, letra tharëse, nivel joadekuat të mbajtjes së nyjave sanitare në disa klinika e reparte.

Kompanisë që merret me higjienën i është rekomanduar që t’u shpërndajë punëtoreve të saj detergjentet e duhur, e sidomos për pastrimin e tualeteve, të cilët ne disa klinika janë ne gjendje të keqe dhe kjo shpërndarje të jetë në përputhje me kërkesat dhe e rregullt ne baza javore.

Duke qenë se në disa pjesë higjiena nuk është në nivelin e duhur, pritet që në kuadër te investimeve kapitale për vitin 2009 të zgjidhet çështja e futjes së në përdorim të ujit të nxehtë në klinika si për pacientët, ashtu edhe për personelin shëndetësor.

Nga punëtorët shëndetësorë që punojnë në QKUK,  përkatësisht zyrtarët për kontrollin e infeksioneve spitalore kërkohet të raportojnë në mënyre te rregullt dhe të kryejnë monitorime më të shpeshta lidhur me higjienën, ndërsa rekomandohet që të ngritët grup pune për monitorim të higjienës në vazhdimësi, e sidomos tashmë në kohën e pandemisë së Gripit A H1N1.

Grupi i punës ka rekomanduar edhe rishikimin në hollësi të kontratës dhe detyrimeve të palëve për t’u kryer me përgjegjësi dhe përkushtim të gjitha detyrat sipas marrëveshjes.

Gjatë monitorimit, grupi i MSh-së është shoqëruar nga përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe të kompanisë “Krasniqi”.

Monitorimet do të jenë pjesë e aktiviteteve edhe në të ardhmen me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të higjienës në institucionet shëndetësore të vendit dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve.