Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH, OBSH e Komiteti për Sëmundje ngjitëse apelojnë për vaksinim kundër A H1N1

Ndërkohë që ka ende doza të konsiderushme të vaksinave që në Kosovë kanë ardhur si donacion i Qeverisë së Turqisë dhe OBSH po kryen procedurat për sjellen e një kontigjenti tjetër të vaksinave, shefi i Zyrës së kësaj organizate në Kosovë, dr. Skënder Syla thotë se fakti që vetëm në Evropë janë dhënë deri tash mbi 30 milionë vaksina dhe mbi 200 mijë shtatzëna janë vaksinuar, është një argument për të ecur para me këtë proces, pavarësisht hezitimeve të panevojshme që në publik janë shfaqur lidhur me sigurinë e vaksinës.

Kurse, kryetari i Komitetit Nacional për Sëmundje Ngjitëse në Kosovë, dr. Jusuf Dedushaj, thotë se për momentin nuk ka mjet më të mirë, më të lirë dhe më të sigurt mbrojtës kundër Gripit A H1N1 se sa vaksina.

Ministria rikujton se, vaksinat të cilat ishin të dedikuara për punonjësit shëndetësor dhe të sëmurët klinikë të indikuar nga klinicistët, mund të merren edhe nga kategoritë e tjera dhe se ato janë falas, ndwrsa varwsisht prej nevojws, MSh do tw sigurojw vaksinw tw tjera.

Ndërkohë, në Kosovë, që nga 15 korriku i vitit 2009 e deri më tani janë regjistruar 324 raste A H1N1 pozitive, prej të cilave 14 kanë përfunduar në mënyrë fatale.