Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh, OBSh, UNFPA dhe UNICEF-i organizojnë punëtori dy ditore me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë

Prishtinë, 22 shtator 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani sot mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), UNFPA-në dhe UNICEF-in, me përkrahjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, që për qëllim ka përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë.

Ministri Rrahmani ka thënë se mbështetja e projekteve të tilla nga MSh, nuk do të mungojë asnjëherë, kur është fjala për ngritjen e edukimit të vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësor, që për qëllim kanë ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore për qytetarët e vendit tonë.

“Jam falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që po na japin organizatat ndërkombëtare që operojnë në Prishtinë, si OBSh, UNFPA, UNICEF etj, dhe donatorët e ndryshëm si në këtë rast që është Qeveria e Luksemburgut që ka përkrahur financiarisht këtë projekt”, tha ministri Rrahmani.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Dr. Skender Syla, tha se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë.

“Ky proces ka filluar në mënyrë të mbarë, dhe se hapat e mëtutjeshëm duhet të merren në koordinim me bashkëpunëtorë ekspertë të kësaj lëmie, që do të kontribuojnë në këtë aspekt edhe me prezantimet e tyre në këtë punëtori”, tha dr. Syla.

Edhe Kryesuesi i Bordit të SHSKUK, dr. Sadik Llullaku dhe Drejtori i SHSKUK, dr. Curr Gjocaj, u zotuan për përkrahje të këtij projekti.

Pra, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë, nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNFPA-në dhe UNICEF-in me përkrahjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, ka vazhduar procesi i iniciuar nga viti 2013 pёr auditin e vdekjeve maternale , bazuar në strategjinë  globale të OBSh-së “Përtej numrave” (Beyond the numbers) .

Në punëtorinë ndërshtetërore të Evropës Jug Lindore të mbajtur në Shkup në nëntor të 2014-ës, ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së dr. Gani Shabani, u konfirmua rëndësia e këtij procesi.

Vazhdimësi e këtij procesi  ishte  punëtoria teknike  e mbajtur në Nëntor 2014  dhe tani është planifikuar punëtoria e radhës, dy ditore  e cila po mbahet në Prishtinë, sot dhe do të vazhdojë edhe nesër, me pjesëmarrje të konsulentëve ndërkombëtar, Dr. Gwyneth Lewis , Znj.McGee  dhe Dr. Stelian Hodorogea.