Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh organizoi tryezë të rrumbullakët për vdekshmërinë e foshnjave

Në këtë tryezë, zyrtarë të MSh, institucioneve shëndetësore, profesionistë në lëmin e shëndetit të nënës, fëmijës, shëndetit publik, OBSH-së, UNICEF-it, UNFPA-së dhe OJQ-ve kanë diskutuar për këtë temë , duke dhënë në të njëjtën kohë rekomandimet për përmirësime të shëndetit të fëmijëve dhe nënave në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ferid Agani tha se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë mbetet një nga problemet më serioze në shëndetësinë e Kosovës, përkundër faktit se indikatorët flasin për rënie të vdekshmërisë perinatale në Kosovë në 17 promila.

“Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është një indikator që tregon se Kosova ende është në mesin e vendeve të cilësuara me vdekshmëri të lartë, prandaj duke pasur parasysh faktin se MSh ka arritur të krijojë dokumente të mira për këtë problematike siç është strategjia përkatëse, duhet të shfrytëzohen parakushtet që ekzistojnë që ky problem të tejkalohet. Zvogëlimi  i vdekshmërisë perinatale është evident, por duhet të vazhdojmë në mënyrë shumë aktive dhe në mënyrë të koordinuar në të gjitha nivelet që t’i mbërrijmë standardet që në këtë fushë i kanë vendet evropiane, pasi që është evidente se rezultatet nuk i kemi në pajtim me pritjet”, theksoi Ministri Agani.

Ministri tërhoqi vërejtjen se aspekti i vdekshmërisë së foshnjave paraqet një indikator me të cilin matet sukses i kosovarëve si shoqëri dhe ulja e mëtejme e vdekshmërisë , tha ai, është detyrë shtetërore dhe e rëndësisë së veçantë.

Zonja Laura Fragiacomo, ushtruese e Detyrës së Shefit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se tryeza ka rëndësi të veçantë, pasi që theksoi se trajtimi i kësaj problematike me seriozitet  në aspektin global ka sjellë rezultatet të mira. Ajo tha se më 1999 në vit në botë ka pasur 12 milionë vdekje perinatale, ndërsa më 2010 kjo shifër ka rënë në 7.6 milionë vdekje, që është një rezultat inkurajues.
“Të gjithë së bashku duhet të gjejmë zgjidhje kreative që të ketë fillim sa më të mbarë të jetës”, tha Fragiacomo

Në këtë tryezë dr. Syheda Latifi nga Klinika Obstetrike – Gjinekologjike e QKUK-së ka prezantuar një raport për  vdekshmërinë perinatale nё Kosovë 2000 – 2011, ku shihet se shkalla e vdekshmërisë perinatale prej 29 promila sa ishte para njëmbëdhjetë vjetëve ka rënë në 17 promila, derisa shqetësues, sipas raportit, ka qenë rënia e numrit të lindjeve në Kosovë prej 39.000 lindje më 2000 në 27.000 lindje më 2011.
                                                                                                       
Prof. Dr. Mujë Shala dhe Dr. Minivere Hoxha nga Klinika e Neonatologjisë kanë folur për indikatorët që lidhen me vdekshmёrinё neonatale  në Kosovë, derisa vdekshmёria e foshnjave nё Kosovё dhe shkaqet e vdekjeve tё fёmijёve janë trajtuar nga aspekti i statistikave mjekësore nga dr. Merita Berisha, IKSHPK.

Në këtë tryezë me diskutime interesante është debatuar edhe për gjendjen shëndetësore dhe ushqyese të fëmijëve në Kosovë, ku ka pasur një prezantim nga  UNICEF-i si dhe për prioritetet e MSH-së në fushën e përmirësimit të indikatorëve të shëndetit të foshnjave, ndërsa për përkrahjen e  partnerëve është bërë një prezantim nga AIHA (American International Health Alliance) në Kosovë.