Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh përgënjeshtron deputeten Time Kadriaj

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës reagon ashpër ndaj deklaratave manipuluese të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Time Kadriaj, e cila duke shpërdoruar postin e deputetes së Kuvendit të Kosovës, dhe në mungesë totale të informacionit të saktë, doli të martën para gazetarëve në mjediset e legjislativit, për të treguar “zbulimin” e saj, se kinse Ministria e Shëndetësisë, paska blerë dhe shpërndarë për institucionet shëndetësore të vendit, ilaçin Enalapril, me çmim dukshëm më të shtrenjtë se sa çmimi në treg.
 
Dhe, për ta “vërtetuar” këtë, ajo prezanton para mediave një faturë dalëse të MSH-së me disa barna, në mesin e të cilave është edhe Enalapril tbl., 5 miligramëshe dhe çmimet e tyre.
 
I sqarojmë deputetes së informuar gabimisht dhe opinionit se jo vetëm bari Enalapril, por edhe të gjitha barnat të cilat figurojnë në atë faturë dalëse të MSH-së janë donacion i organizatës së mirënjohur amerikane “Project- Hope” dhe, pavarësisht se bëhet fjalë për donacion, në faturë janë vendosur vlera e tyre monetare, të cilën e ka deklaruar donatori me rastin e dhurimit të saj, dhe nuk bëhet fjalë fare për para të shpenzuara nga Ministria.
 
Pra, Ministria nuk i ka blerë këto barna, i ka marrë donacion për çka i shpreh falënderim donatorit.
 
Është krejtësisht korrekte që fatura dalëse me komplet barnat që janë donacion, t’i ketë çmimet të cilat i ka deklaruar donatori, sepse dhuruesi në fund të fundit, dëshiron të  tregojë se sa ka ndihmuar, dhe krejtësisht e kuptueshme se një bari në SHBA, të ketë çmim më të lartë se sa në tregun këtu.
 
Prandaj, MSh është e befasuar me lehtësinë me të cilën një e zgjedhur e popullit përhap dezinformata të këtij niveli në opinion, fatkeqësisht, jo për herë të parë.
 
Duke besuar se është në interesin e opinionit publik, por edhe të vet deputetes që gjërat që thuhen të jenë të argumentuara dhe në nivel të përgjegjësisë së fjalës publike, Ministria e inkurajon deputeten në fjalë që të mos hezitojë dhe të informohet në çdo kohë për çështjet e ngritura nga vet institucioni (MSh-ja), ku deri para disa muajve ka punuar vetë ajo.