Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh, “Planet Vision” dhe Shoqata e Oftamologëve në shërbim të nxënësve kosovarë

Prishtinë, 6 maj 2014

Ministri  i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani, sot ishte në fshatin Magur të Komunës së Lipjanit, ku ka përcjellë nga afër zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Shoqatën  “Planet Vision” e përfaqësuar nga Bernard Conned dhe Bourquin Claude, dhe Shoqatën e Oftalmologëve të Kosovës e përfaqësuar nga Dr. Visar Huruglica.

Ministri Agani vlerësoi lartë punën e Shoqatës zvicerane dhe asaj  kosovare, me ç’rast po i dalin në ndihmë popullatës për nevojat e tyre shëndetësore, në këtë rast në caktimin e dioptrisë dhe vënien e syzave pa kompensim.

Marrëveshje ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore, caktimin e dioptrisë dhe vënien e syzave pa kompensim me synim të përmbushjes së nevojave për fëmijët si grup me interes të larte të popullatës.

Marrëveshja do të zbatohet për nxënësit  e shkollave fillore të përcaktuar sipas planit të veprimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në gjashtë regjione të Kosovës, në faza të ndara.

Në dy prej regjioneve në Lipjan dhe Dragash është përfunduar ekzaminimi nxënësve. Në këto dy regjione është bërë ekzaminimi i afro 2 000 nxënësve dhe mësimdhënësve, kurse, nxënësit të cilët pas ekzaminimit është vlerësuar se kanë nevojë për syze, do tu afrohen nga shoqata vënia e syzave pa pagesë.

Në një të ardhme të afërt mbetet të realizohen edhe katër regjionet tjera, Vushtrri, Skenderaj, Drenas dhe Mamush.

Zhvillimi i bashkëpunimit midis palëve bazohet në parimin e humanitetit, i cili përbën element esencial, ashtu siç është përcaktuar në dispozitat e kësaj marrëveshjeje.