Këtë punëtori që ka nisur sot në Prishtinë dhe ku po marrin pjesë zyrtarë shëndetësore të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor, në emër të Ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani, e ka përshëndetur Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së, dr. Gani Shabani.
Sistemi i ri i integruar i SISH-it përbëhet prej nëntë moduleve bazike, të cilët do të mundësojnë grumbullimin, analizimin dhe zhvillimin e raporteve mbi gjendjen shëndetësore të popullatës në Kosovë.
Po ashtu, ky sistem, do të lehtësojë politikë-bërjen e cila do të bazohet në evidencë si dhe do të mundësojë planifikimin më të mirë të resurseve humane dhe profesionale brenda sistemit shëndetësor të Kosovës, dhe do të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve shëndetësore duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Krahas softwerit, MSH gjatë javëve në vijim do të fillojë implementimin e infrastrukturës së nevojshme (teknologjisë informative), për funksionalizimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të SISH-it të integruar.
I gjithë procesi pritet të jetësohet kah fundi I këtij viti dhe do të implementohet në pilot projektet që do të zhvillohen në QKUK, IKSHP, rrjetin e institucioneve shëndetësore në rajonin e Prizrenit…
Projekti financohet nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Luksemburgut.
Ky projekt është i pari i këtij lloji që po implementohet në Kosovë dhe diçka e re edhe në regjion dhe në Evropë.
Me rezultatet nga ky projekt, Kosova përmes MSh-së do të jetë e gatshme që t’i raportojë për gjendjen shëndetësore të popullatës konform standardeve evropiane në të gjitha institucionet përgjegjëse për grumbullimin e të dhënave në Evropë si OECD, WHO dhe EUROSTAT.
Projekti është ndërministror dhe ka marrë mbështetje të madhe dhe nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Kjo punëtori është pjesë e fazës së parë (A) të Planit të Veprimit të Strategjisë së Informimit Shëndetësor 2010-2014, që është një udhërrëfyese për zhvillimin e sistemit të integruar të Sistemit të Informimit Shëndetësor.