Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh pranon nga UNICEF-i 3.6 tonelata furnizime mbrojtëse për personelin shëndetësor

Një dërgesë me furnizime profesionale mbrojtëse dhe mjekësore të siguruara nga UNICEF-i arritën sot në Prishtinë, si pjesë e mbështetjes së UNICEF-it në Kosovë për sistemin shëndetësor në kuadër të reagimit ndaj krizës aktuale të koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin ishin së bashku në pranimin e këtij donacioni në depon e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri Vitia tha se ky është një kontribut jashtëzakonisht i vlefshëm nga UNICEF-i për profesionistët shëndetësor dhe për institucionet kosovare në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me koronavirusin Covid-19.

“Këto mjetë mbrojtëse do t’u shpërndahen punonjësve shëndetësor me qëllim që ata të jenë të mbrojtur gjatë punës së tyre në diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me Covid-19”, tha Ministri Vitia, duke shprehur falënderimin e tij për UNICEF-in dhe mbështetjen e dhënë.

Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin deklaroi: “Ne e dimë se nevojitet ndihmë e menjëhershme. Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka qenë në gjendje të reagojë shpejt, duke dërguar furnizime me pajisje parandaluese që shpëtojnë jetë për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë edhe në këtë kohë kur logjistika është jashtëzakonisht sfiduese. Ne do të vazhdojmë mbështetjen me metoda kreative në mënyrë që të rinjtë dhe fëmijët në Kosovë t’i tejkalojnë sfidat që janë paraqitur si pasojë COVID-19 ”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i zbatojnë rekomandimet e dhëna nga institucionet për t’u mbrojtur nga virusi dhe siguroi se UNICEF-i po punon për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit. “Ne po ndajmë informacione të sakta se si të mbahen familjet të sigurta, po ofrojmë pajisje mjekësore për klinikat shëndetësore dhe pajisje higjienike për familjet në nevojë dhe po e zvogëlojmë ndikimin e përhapjes së virusit në qasjen e fëmijëve në shëndet, arsim dhe shërbime sociale”, deklaroi Sahin.

Që nga fillimi i përhapjes së virusit, Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lidhur partneritet me Kryqin e Kuq të Kosovës dhe autoritetet komunale për shpërndarjen e 12,000.00 pakove të higjienës familjare për familjet më në nevojë. Shpërndarja e pakove është koordinuar ngushtë me partnerët për të identifikuar dhe mbështetur familjet që jetojnë në varfëri ekstreme dhe në zonat më të largëta të Kosovës. Pakot e higjienës familjare janë shpërndarë gjithashtu edhe për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dhe për komunat e banuara nga komuniteti serb në Kosovë.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë po punon me donatorë dhe partnerë për të mbështetur dhe ndihmuar fëmijët dhe familjet e prekura nga pandemia.

Kontigjenti prej 3.6 tonelatave furnizime nga UNICEF-i që janë sjellë në Ministrinë e Shëndetësisë për të mbështetur punonjësit shëndetësor në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 në Kosovë, përfshinë këtu:

  • 36,200 dorëza,
  • 33,600 maska kirurgjike,
  • 2,700 maska me mbushje të dendur,
  • 1000 kominoshe për mbrojtje,
  • 8,960 mantele,
  • 2,800 përparëse mbrojtëse