Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh prezantoi Draft Strategjinë për Shëndetin e Nënës, Fëmijës, Adoleshentit dhe Shëndetin Riprodhues

alt

 

alt

Ministria e Shëndetësisë e Republikës ka prezantuar sot në një takim në Qendrën e Telemjekësisë të Kosovës Draft- Strategjinë për Shëndetin e Nënës, Fëmijës, Adoleshentit dhe Shëndetin Riprodhues 2011-2015, një dokument ky i punuar nga një Grup punues i formuar nga MSh-ja dhe me përkrahjen e OBSH-së, UNICEF-it dhe UNFPA-së në Kosovë.
Ky dokument , që e ka të bashkëngjitur edhe Planin e Veprimit, u vlerësua si shumë i rëndësishëm nga Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, i cili tha se Strategjia u dedikohet kategorive më të ndjeshme në Kosovë  dhe se ajo do të nënshkruhet prej tij sa më parë që të jetë e mundur dhe do të prezantohet për miratim edhe në Qeverinë e Kosovës.
Ministri Agani tha se ky dokument paraqet një parametër shumë të rëndësishëm në rrugën e përmbushjes së shumë kritereve të Kosovës për integrim në BE dhe se pas miratimit, Strategjia, që  do të bëhet një dokument obligues, me që ai parashtron synimet dhe vizionin e MSh-së, profesionistëve dhe të shoqërisë sonë që ka për të ardhmen.
Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, Ilir Tolaj, tha se dokumenti është i mirë, ndërsa kërkoi nga bartësit e aktiviteteve për arritjen e objektivave të parashtruar, që pas miratimit të Strategjisë , gjegjësisht Planit të Veprimit për zbatimin e saj, t’i bëhet nga në analizë në çdo gjashtë muaj se deri ku është arritur me zbatimin e tyre, cilat janë vështirësitë eventuale, etj.
Shefqet Lulaj, Kryesues i Grupit punës për hartimin e kësaj strategjia, tha se ajo adreson shumë aspekte që lidhen me shëndetin e kategorive të përfshira dhe shprehu besimin se segmentet kryesore të saj do të arrihet të jetësohen.
Prezantimin e Draft-Strategjisë e ka bërë Merita Vuthaj, Zyrtare për Shëndetin e Nënës dhe të Fëmijës në MSH, ndërsa pas prezantimit janë bërë diskutime,  komente dhe sugjerime të ndryshme, dhe ato që e ndihmojnë dokumentin, do të përfshihen në versionin final të Strategjisë për Shëndetin e Nënës, Fëmijës, Adoleshentit dhe Shëndetin Riprodhues.