Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh prezantoi Planin e Veprimit të Strategjisë Sektoriale

Nemanja Vujoviq, zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se Plani i Veprimit i Strategjisë Sektoriale Shëndetësore, është një dokument strategjik që qartëson kahet e zhvillimit të shëndetësisë sonë në vitet e ardhshme.
“Të vetëdijshëm se gjatë këtij viti që po e lëmë pas, shëndetësia kosovare është sfiduar nga probleme të shumta, nga të cilat kryesore kanë qenë buxheti jo adekuat dhe mungesa e resurseve për fusha të caktuara, ne shpresojmë shumë se viti që vjen, do të shënojë një kthesë pozitive në shëndetësi, kurse objektivat e parashtruara në Strategjinë Sektoriale do të fillojnë të zbatohen praktikisht”, tha zëvendësministri. Në këto synime dhe angazhime, shtoi ai, “pa dyshim, që shëndetësisë kosovare do t’i duhet edhe në të ardhmen ndihma e donatorëve, prandaj me këtë rast, dëshiroj të falënderojë Qeverinë e Luksemburgut dhe donatorët e tjerë, të cilët gjatë këtij viti, kanë kontribuar për shëndetësinë tonë, me qëllim që të gjithë qytetarëve të Kosovës, t’u ofrohen shërbime sa më të mira shëndetësore”.

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në MSH, tha se vlerësimet e shumta, e së fundi edhe Raporti studimit të fizibilitetit të kapaciteteve të MSh-së, dhe institucioneve shëndetësore, i bërë nga “Eptisa” dhe Zyra ndërlidhëse të Komisionit Evropian, ka vënë në pah dobësi të kapaciteteve planifikuese dhe menaxhuese në të gjitha segmentet dhe nivelet e sistemit shëndetësor kosovare.
“Raportet vlerësuese vënë në pah edhe praktikat dhe shfrytëzimin jo-efikas të resurseve njerëzore dhe financiare edhe ashtu të mangëta. Rrjedhimisht edhe performanca e sistemit tonë nuk është ajo që duhet, e për më keq edhe imazhi ynë tek publiku i gjerë nuk është ashtu si duhet të jetë”, konstatoi ai.
Dr. Tolaj tha se në kohën e fundit vërehet një mobilizim më i madh të strukturave të sistemit shëndetësor që të përballen dhe ti zgjidhin problemet e shumta.
“Një nga aktivitetet me rëndësi të veçantë në këtë përballje është edhe finalizimi dhe vënia në zbatim e Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai, duke theksuar se për herë të parë Ministria e Shëndetësisë, ka përpiluar një Plan gjithëpërfshirës nga i cili do të derivohen Plani Vjetor i MSH-së, për Qeverinë e Kosovës, planet vjetore të Drejtorive të MSH-së, planet vjetore të veprimit institucioneve varëse të Ministrisë në të gjitha nivelet.

Pas prezantimit të planit, pjesëmarrësit kanë dhënë kontributin e tyre me komente dhe diskutime, me qëllim që plani të jetë i zbatueshëm dhe të ndikojë në arritjen e atyre objektivave që për shëndetësinë kosovare dhe lidershipin e saj janë planifikuar në një periudhë afatmesme kohore.