Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh prezanton para donatorëve Draft Planin e Aksionit për Strategjinë Sektoriale Shëndetësore

Draft -Planin e Veprimit të Aksionit për Strategjinë Sektoriale e ka prezantuar, dr. Merita Berishaj- Koçinaj, kryesuese e Këshillit Profesional për implementimin e Strategjisë Sektoriale, e cila ka paraqitur aspekte të ndryshme të situatës në Kosovë rreth pesë objektivave kryesore të cilat i përmban Strategjia Sektoriale Shëndetësore 2010-2014 siç janë: Zvogëlimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës së përgjithshme; përmirësimi i menaxhimit të resurseve ekzistuese dhe cilësisë së shërbimeve; funksionalizimi, riorganizimi dhe plotësimi i infrastrukturës ekzistuese të sistemit shëndetësor dhe sigurimi i pajisjeve mjekësore në përputhje me standardet evropiane; implementimi dhe zhvillimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të financimit të shëndetësisë.

Kurse, dr. Valbon Krasniqi, koordinator për donatorë në MSh, ka prezantuar para donatorëve disa prej projekteve të përzgjedhura nga Ministria, për të cilat u kërkua mbështetje në realizimin e tyre nga donatorët.

U. D. i Sekretarit Permanent, dr. Haxhi Kamberi, ka vlerësuar se komentet dhe vërejtjet e donatorëve do ta bëjnë Planin e Aksionit më funksional, kurse Pierre Weber, kryesues i grupit të donatorëve për shëndetësinë e Kosovës, ka thënë se donatorët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngusht me MSh-në, në mënyrë që sistemi shëndetësor i Kosovës të ndihmohet.