Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh prezanton Projektligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani, tha se Projektligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, i cili ka kaluar në Qeverinë e Kosovës dhe brenda këtij muaji, eventualisht në fillim të tetorit, pritet të dal për shqyrtimin e parë edhe në Kuvendin e Kosovës, është rezultat i një bashkëpunimi të mirë dhe multidisiplinar si dhe punës së përbashkët që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, profesionistët shëndetësor të gjitha niveleve, shoqëria civile dhe grupet e tjera, të mbështetur nga  Oda Federale e Mjekeve nga Gjermania.

 

“Me miratimin e këtij projektligji në Kosovë do të themelohen odat e profesionistëve shëndetësor, që është një prej tri shtyllave të reformës shëndetësore, dy shtyllat tjera të së cilës janë krijimi i Shërbimit Shëndetësor të Kosovës, që do të reformojë sistemin e organizimit të shëndetësisë dhe krijimit të Agjencionit të Financimit të Shëndetësisë, që paraqet reformën e financimit në shëndetësi, shtylla këto të parapara me Projektligjin për Shëndetësi dhe Projektligjin për Sigurime Shëndetësore”, tha ai.

 

Ministri Agani theksoi se roli i odave të profesionistëve shëndetësor është që të prezantojnë interesat profesionale të komunitetit shëndetësor, të sigurojnë standardet e larta të kodit të etikës, të promovojë dhe mbrojë veprimtarinë e profesionistëve shëndetësor në institucionet shëndetësore publike dhe private dhe të kryejnë disa funksione siç janë procesi i specializimeve, regjistrimi dhe licencimi i profesionistëve shëndetësor,etj., çështje këto me të cilat tash merret Ministria e Shëndetësisë.

 

Me Projektligjin për Odat e profesionistëve shëndetësor është paraparë krijimi Odës së Mjekëve, Odës së Stomatologëve, Odës së Farmacistëve dhe Odës së infermierëve, mamive dhe teknikëve të tjerë shëndetësor.

“MSh pret që procesi i krijimit të odave pas miratimit të ligjit të kryhet në pranverën e vitit 2013”, tha Ministri Agani.

 

Dr. Ramin Parsa Parsi nga Oda Federale e Mjekëve të Gjermanisë, tha se projektligji i hartuar nga MSh ka krijuar fundamentin për punën e mëtejme të profesionistëve shëndetësor në Kosovë, ndërsa me këtë projektligj, Ministria u ka dhënë atyre shumë fuqi veprimi, diçka që sipas tij, në shumë vende të tjera nuk ekziston.

“Me këtë fillon faktikisht vetëqeverisja mjekësore”, tha Parsi, i bindur se në maj apo qershor të vitit të ardhshëm, MSh, bashkë me Odën Federale të Mjekëve nga Gjermania dhe profesionistët shëndetësor në Kosovë do të mund ta festojnë krijimin e odës së parë profesionale të mjekëve në Kosovë, pas një procesi të zgjedhjeve që do të jetë shumë i rëndësishëm.

“Ne do të gëzohemi që odat e juaja profesionale t’i integrojmë në të gjitha organizatat ndërkombëtare të kësaj natyre”, tha Parsi.

 

Në punëtorinë e mbajtur në Prishtinë, është bërë elaborimi në detaje i Projektligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor , janë bërë disa prezantime ndërlidhur me të, si dhe janë zhvilluar debate nga ana e profesionistëve shëndetësor pjesëmarrës në këtë punëtori, por edhe në procesin e hartimit të projektligjit.