Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Rastet e leukemisë po trajtohen me prioritet të veçantë

Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin për manipulimet e rënda nga media të caktuara, të cilat duke keqpërdorursëmundjen e fëmijëve me leukemi, plasojnë të pavërteta ekstreme lidhur me trajtimin e këtyre rasteve

Prishtinë, 25 korrik 2014

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës njofton qytetarët e vendit se deri tash, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e Fondit prej 5.5 milionë eurove për sëmundjen e leukemisë, me një milionëshin e parë të këtij fondi, është mbuluar trajtimi mjekësor i 9 rasteve të kësaj sëmundjeje, të cilat janë duke u trajtuar në spitale të Gjermanisë, Austrisë, Danimarkës dhe të Turqisë.

Siç është njoftuar opinioni, pas shpenzimit të një milionëshit të parë (nga fondi prej 5.5 milionë euro) për 9 rastet e lartpërmendura, me datën 23 korrik 2014, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj ka marrë vendim edhe për alokimin e një milionëshit të dytë, pas kërkesave që për këtë ka bërë Ministria e Shëndetësisë.

Me të miratuar të këtij vendimi të Qeverisë, MSh përmes Bordit për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, po më 23 korrik 2014, MSh ka miratuar trajtimin jashtë vendit të dy pacientëve të prekur nga Leukemia: pacientit E. H, në vlerë prej 300.000 eurove për trajtim në Gjermani dhe të pacientit E. B., në vlerë prej 200.000 eurove për trajtim në Turqi, duke zbatuar në afat sa më të shkurtër çdo procedurë rreth trajtimit sa më të shpejtë të këtyre rasteve në përputhje me Udhëzimin Administrativ 02/2012 “Trajtimi Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”.

Një rast tjetër, E. K. trajtimi i të cilit kushton 500.000 euro, ishte miratuar më herët dhe ishte në pritje të sigurimit të mjeteve shtesë që të dërgohet për trajtim jashtë vendit, duke qenë që shuma ishte shumë e lartë dhe nuk mund të mbulohej nga një milionëshi i parë që u përdor për 9 raste të leukemisë.

Megjithatë,  MSH shpreh shqetësimin e thellë për manipulimin e rëndë mediatik, që (pseudo) gazetarë të ndryshëm, janë në duke i bërë në vazhdimësi opinionit, për gjoja neglizhencë në trajtimin e këtyre rasteve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky institucion dhe nëpunësit e saj, ndihen të fyer nga dezinformatat e ngjashme të plasuara me datën 24 korrik në një televizion nacional (Koha Vizion), në të cilin, duke u keqpërdorur sëmundja e fëmijëve me leukemi, plasohen të pavërteta, bëhen akuza ndaj MSh-së dhe shprehet për më tepër mungesë e etikës elementare njerëzore e profesionale, ndryshe nga vet prindi i një fëmije të sëmurë që pohon vet se ditën që ka kompletuar dosjen, është njoftuar nga Ministria për vendimin e menjëhershëm pozitiv për trajtim jashtë vendit të fëmijës së tij.

Fatkeqësisht, pjesë e këtij dezinformimi, janë bërë edhe një numër portalesh, të cilët pa marr as mundin më të vogël për verifikim të fakteve,  vjedhin dhe i konsumojnë në mënyrë serike dezinformatat e tilla duke i plasuar ato në ballinat e tyre.

MSh siguron qytetarët e vendit, se në  përputhje me Udhëzimin Administrativ 02/2012, mundësitë financiare dhe mundësitë e tjera edhe përmes donatorëve të ndryshëm, do ta bëjë të pamundurën që secilin rast të leukemisë ta trajtojë me prioritet absolut siç është duke e bërë.

Sa për të sqaruar ata që bëjnë kronika pa e lexuar as  edhe një herë Udhëzimin se si funksionon Programi i Trajtimit Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, përmes të cilit trajtohen edhe rastet e Leukemisë, ju informojmë se vendimin nëse një rast duhet të trajtohet jashtë vendit ose jo e merr Komisioni Konziliar në QKUK i klinikës përkatëse, ndërsa Komisioni i Vlerësimit Mjekësor dhe Bordi i Programit të TKISHP në MSH, mblidhen dhe shqyrtojnë rastet çdo javë, duke nxjerrë vendime në favor të pacientëve në momentin që ata kanë dosjen të kompletuar dhe pro-faturat e siguruara për spitalin ku dëshirojnë të marrin trajtimin, bazuar në të drejtën e tyre të zgjedhjes.

Rastet që nga Komisioni Konziliar i QKUK-së vijnë në MSh me rekomandimin për trajtim urgjent, bazuar në fletë-garancionet e lëshuara nga MSh sipas UA 02/2012, mund ta fillojnë trajtimin mjekësor në ato spitale jashtë vendit që i pranojnë këto fletë-garancione të MSh-së, edhe pa përfunduar procedurat administrative.

Rasti i fundit, i keqpërdorur nga mediat, (E.H.) ka sjellë pro-faturën e spitalit më 23 korrik, dhe po të njëjtën ditë MSh ka miratuar trajtimin e saj jashtë vendit, duke u dhënë prioritet absolut këtyre rasteve në përputhje me bazën ligjore.