Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Rastet në spitalet private u trajtuan në përputhje të plotë me ligjin

Prishtinë, 9 korrik 2014

Ministria e Shëndetësisë konsideron se shkrimi në portalin “Express”, i botuar sot me datë 9 korrik 2014 me titull: “Agani dërgoi në mënyrë të parregullt para te spitali i turqve, Prokuroria ka nisur hetimet”, është tendencioz, i drejtuar kundër investimeve të huaja në vend dhe me  plot të pavërteta. Në MSh nuk është duke u zhvilluar asnjë procedurë zyrtare hetimore ndaj zyrtarëve të MSh-së  përkitazi me këtë çështje.

Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sigurojë opinionin se çdo procedurë përkitazi me trajtimin emergjent të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore është zbatuar në përputhje të plotë me aktet ligjore në fuqi dhe Udhëzimin  Administrativ 10/2013 për Trajtimin Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike,  përkatësisht në bazë të  nenit 5-Aplikimi i rasteve emergjente,  ku specifikohen qartë procedurat se si duhet të veprohet për trajtimin e rasteve emergjente të cilat nuk mund të trajtohen në institucionet shëndetësore publike.

Ministria e Shëndetësisë informon opinionin publik se me 1. 769.480 euro (të cilat përmenden në raport) është shpëtuar jeta e 320 pacientëve, të cilët kanë pasur nevojë për trajtime emergjente kardio-kirurgjike dhe kardiologjike, që në bazë të mendimit të konsiliumit përkatës mjekësor nuk ka mundur të ofrohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq gjendja shëndetësore e pacientëve ka kërkuar nevojën e trajtimit të menjëhershëm të tyre.

Asnjë rast nuk është trajtuar në këto spitale pa mendimin konsiliar dhe dokumentacionin përkatës të kompletuar në pajtim me UA 10/2013.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, të cilin e shtrembëron ky portal,  në asnjë vend nuk e specifikon numrin dhe rastet konkrete ku trajtimi i pacientëve i mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë është bërë në kundërshtim  me dispozitat ligjore në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje që një dokument zyrtar i institucioneve të Republikës së Kosovës shfrytëzohet nga media të papërgjegjshme dhe tendencioze për qëllime të ulëta dhe denigruese ndaj ministrit Agani dhe sektorit privat në shëndetësi, i cili në çdo aspekt është i barabartë në bazë të ligjit, me sektorin privat.

Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve më cilësore shëndetësore  paraja e tatimpaguesve kosovar të shpenzohet në Kosovë e jo në institucionet shëndetësore të shteteve tjera.