Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh rrit nivelin e mbikqyrjes së institucioneve private

Nga rishiqyrtimi i dosjeve të 777 IPSh është konstatuar se në 48 Qendra Diagnostike Terapeutike të licencuara, janë të punësuar 403 profesionist shëndetësor, në 12 Spitale private të licencuara, janë të punësuar 343 profesionist shëndetësor dhe në 717 IPSh të tjera (Ambulanca shëndetësore, ambulanca specialistike dhe laboratoriume biokimike-mjekësore), janë të punësuar 1.516 profesionistë shëndetësorë.

Pra, gjithsejt 2.262 punëtorë shëndetësor, momentalisht, janë të licencuar për punë në IPSh të Kosovës.  Shumica prej tyre, në të njëjtën kohë, janë të punësuar edhe në institucione publike shëndetësore.

Ky revizion i dosjeve bëhet në kohën kur ka ankesa nga Insapektoratet gjegjëse të MSh-së, se punonjës shëndetësor kryejnë shërbime në më shumë se një institucion privat, që është në kundërshtim me ligjin, pasi aktualisht, ai lejon që një punonjës shëndetësor i përfshirë në dy sektorët, (publik dhe privat), të punojë 8 orë në sektorin publik dhe  4 orë në sektorin privat.

Bordi për licencimin e IPSh, i udhëhequr nga të dhënat që merr nga Divizioni i Sektorit Privat, asnjëherë nuk ka lëshuar licencë pune për të njëjtin punëtor në dy apo më shumë vende pune, në kuadër të 4 orëshit të lejuar me ligj, përkundër insistimit të pandërprerë të profesionistëve shëndetësor në këtë drejtim.

Duke qenë se Divizioni i Prakës Private i MSh ka informata se disa nga IPSh të licencuara, shfrytëzojnë staf jashtë licencës dhe konsiderohet e  jashtëligjshme çdo veprimtari e këtyre profesionistëve shëndetësorë, sikur që është i jashtëligjshëm edhe secili shërbim i palicencuar, Bordi për licencim të IPSh-së do të jetë shumë i kujdesshëm që të marrë parasysh çdo veprim të tillë dhe kjo mund të ju kushtojë disa IPSh-ve me revokim të licencës, nëse ato nuk përfillin rregullat.

Në këtë aspekt, ditëve dhe javëve që vijnë, Inspektorati Shëndetësor do të ngre nivelin e inspektimeve në instituciuonet private shëndetësore për të parë sa i përmbahen orarit të punës këto institucone , a ofrojnë shërbime të palicencuara dhe do të inspektohet për të parë se spitalet e licencuara, a ofrojnë shërbime 24 orëshe sikur kërkohet në rastin e aplikimit të tyre për licencë dhe marrjen e saj.

Divizioni i Prakës Private ka lutur Inspektoratin që në të gjitha rastet kur në një IPSh gjinden  profesionistë shëndetësor të palicencuar,  ofrohen shërbime të palicencuara dhe  mungojnë kontratat e marrëdhënies së punës me stafin e angazhuar, të ndërmerr masa ndëshkuese si ndaj profesionistëve që ushtrojnë veprimtari të tillë, ashtu edhe ndaj drejtorëve të IPSh që shfrytëzojnë shërbime nga stafi i paparaqitur në fletëaplikim për licencim.

Bordi për Licencimin e IPSh, ndërkaq, do të merr në konsiderim, çdo rekomandim që vie nga Inspektorati Shëndetësor si dhe Bordi Etik.

Në ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë thekson se qëllimi i inspektimeve nuk do të jetë ndëshkimi i dikujt, por mbajtja nën kontroll e veprimtarisë private në shëndetësinë kosovare dhe nxitja e arritjes së standardeve më të larta në këto institucione, ashtu që sektori privat të jetë konkurrent me sektorin publik, dhe këto dy sisteme të bashkëpunojnë brenda Ligjit për partneritetin publiko-privat.

MSh ka konstatuar, pa dyshim, gjatë kësaj periudhe kohore përparime evidente në fushën e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore që ofrojnë Institucionet Private Shëndetësore të licencuara,  por, janë vërejtur edhe parregullsi të cilat përveç që janë të ndikuara nga faktori njeri, kanë të bejnë edhe me çështje jo mirë të definuara në legjislacionin aktual, çka krijon mundësi për interpetime të ndryshme.  Në këtë kuadër, Ligji i ri për  Shëndetësinë, të cilin e ka hartuar MSh dhe i cili pritet të kalojë shpejt në Kuvendin e Kosovës, do të definojë shumë çështje që tash marrin interpretime të ndryshme.

Prandaj, Ministria e Shëndetësisë, do ta përmbush rolin e saj, duke vendosur rregull të plotë dhe mekanizmave më të mirë të mbikqyrjes së aktiviteteve brenda IPSh nga ana e saj.