Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh u bën thirrje qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19

Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të jetë mënyra më e lehtë, më e sigurt dhe më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Situata epidemiologjike, relativisht e qetë nuk përbën arsye që qytetarët që kanë marrë dozë e parë të vaksinës ta vonojnë marrjen e dozës së dytë, sepse kjo e pamundëson arritjen e mbrojtjes efikase dhe imunitetit të plotë.

Për më tepër, ata që ende nuk janë vaksinuar, nuk kanë arsye për të hezituar, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’u vaksinuar shpejt, lehtë dhe me vaksina të sigurta.

Të dhënat e raportuara nga shumë shtete, tregojnë për rritje të ndjeshme të rasteve të COVID-19 këtyre ditëve gjithandej, sidomos në shtetet e rajonit.

Prandaj, me qëllim të mbajtjes së situatës së qetë epidemiologjike në vendin tonë, ruajtjes së jetës së qytetarëve dhe parandalimin e ngarkesës së sistemit tonë shëndetësor, në këtë kohë kur mund të shfaqen edhe raste të gripit sezonal, Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 pa asnjë hezitim.

 Besoni në fakte dhe vaksinohuni!