Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh , UNICEF-i e OBSH fillojnë kampanjën për uljen e duhan-pirjes në Kosovë

 

Ministri i Shëndetësisë prof. dr. Ferid Agani, tha se nevoja për të mbrojtur shëndetin publik të popullatës, për të parandaluar shumë sëmundje të ndërlidhura me duhanin si shkaktar  dhe për të promovuar një jetë sa më të shëndetshme, ka shtyrë MSh-në që të sponzorizojë ndryshime dhe plotësime në Ligjin aktual për Duhanin, të cilat në formën e Projektligjit për Kontrollin e Duhanit janë miratuar në Qeverinë e Kosovës ditë më parë.

“Ministria është e përkushtuar dhe ka ofruar përmes këtij projektligji një mekanizëm  të mirë për mbrojtjen e shëndetit të gjeneratave të tashme dhe të ardhme, në veçanti fëmijëve dhe grave shtatzëna kundër pasojave të duhan-pirjes, në frymën edhe të aspiratave që Kosova ka për të qenë pjesë e familjes evropiane ku zbatohen standarde të larta sa i përket mbrojtjes së shëndetit”, tha Ministri.

 

Ministri Agani u ka bërë thirrje mediave dhe qytetarëve që t’i mbështesin këto përpjekje serioze të Ministrisë për të siguruar ngritje të vetëdijes për nevojën që ligjet të zbatohen dhe shëndeti i popullatës të mbrohet në mënyrë adekuate, derisa ka theksuar se me Projektligjin për Kontrollin e Duhanit, është paraparë që hapësirat publike, vendet e punës dhe pjesërisht disa hapësira të hapura të jenë të liruara nga duhan-pirja, derisa janë përforcuar mekanizmat për mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit.

Në këtë aspekt, Ministri ka theksuar rëndësinë që ka partneriteti i MSH-së me partnerët strategjik siç janë OBSH e UNICEF-i, të cilët e kanë përkrahur procesin.

 

Zonja, Laila Omar Gad, shefe e re e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, duke folur në emër të kësaj zyre, por edhe të Zyrës së OBSH-së në Kosovë, theksoi rëndësinë që ka zbatimi i ligjit të duhanit në Kosovë dhe partneriteti që në përpjekjet për uljen e prevalencës së duhan-pirjes në Kosovë janë duke i bërë së bashku Ministria e Shëndetësisë, UNICEF-i, OBSH-ja dhe partnerët e tjerë.

Zonja Gad theksoi se në bazë të statistikave, në botë vdesin 36 milionë njerëz në vit, ndërsa në 63 për qind të rasteve, shkaqet janë të ndërlidhura me duhanin.

“Sipas informative që kemi edhe në Kosovë ka shkallë të lartë të duhan-pirjes, në veçanti ne mesin e shtatzënave, ku shkalla arrin në 21 për qind, sipas studimit të OBSH-së,  derisa rreth 53 për qind të fëmijëve i ekspozohen duhan-pirjes”, tha Gad.

Ajo theksoi se duhan-pirja është dëshmuar se lë shumë njerëz të paaftë në moshën më produktive, ndikon në të ardhurat familjare, shpenzon buxhetin e familjes dhe shtetit, rrit shpenzimet e kujdesit shëndetësor dhe ndikon në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik.

 

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, theksoi se në vazhdimësi të hulumtimeve rreth duhan-pirjes, IKSHP do të nxjerr së shpejti rezultatet e hulumtimit të dytë lidhur me tendencat e duhan-pirjes tek të rinjtë, pasi hulumtimit të parë të zhvilluar më 2005 dhe do të ofrohet mbështetja e duhur profesionale që Projektligji për Kontrollin e Duhanit të zbatohet në nivelin e dëshiruar.

Ai tha se shqetësuese është duhan-pirja pasive, ndërsa përpjekjet në të ardhmen, do të jenë të orientuara drejt zbatimit të politikave që parasheh Konventa Kornizë e OBSH-së për kontrollin e duhanit.

 

Në lansimin e kampanjës kundër duhan-pirjes, u bë prezantimi i tre spoteve vetëdijesuese në gjuhën shqipe dhe serbe, u prezantuan posterët dhe fletëpalosjet e punuara nga UNICEF-i e OBSH, në bashkëpunim me MSh-në e IKSHP-në, dhe u bë e ditur se këto spote do të emitohen ne televizione të ndryshme në Kosovë gjatë tre muajve të ardhshëm, ndërsa kampanja do të shtrihet edhe përmes rrjetit social “Facebook”.

Mesazhi kryesor  i kampanjës është: “Duhani vret” dhe ai do të përcillet gjatë kohës së kampanjës mediale në shkallë sa më të gjerë.