Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh vazhdon bashkëpunimin me Kolegjin Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe

Ministri Agani tha se është kënaqësi e veçantë për MSh-në që të vazhdojë bashkëpunimin me këtë Kolegj, derisa theksoi se rezultatet e deritanishme në lëmin e zhvillimit të kapaciteteve njerëzore në Mjekësinë Familjare si rezultat i bashkëpunimit të deritanishëm janë mbresëlënëse.

“Specializimi i kuadrove të Mjekësisë familjare, përmes këtij programi të akredituar, paraqet kontribut të jashtëzakonshëm në Kujdesin parësor Shëndetësor dhe Ministria është e përkushtuar që KPSH të jetë shtylla e shëndetësisë kosovare”, theksoi ministri.

Ai tha se Ministria është shumë falënderuese për besimin që i është dhënë Mjekësisë Familjare nga ana e këtij Kolegji britanik dhe u zotua se programi do ta ketë mbështetjen e plotë të mëtejmë të MSh-së.

Jana Hithe, kryetar e RCGP tha se ka qenë privilegj dhe kënaqësi për Kolegjin që të jetë pjesë e zhvillimit të Mjekësisë familjare në Kosovë prej vitit 2000, ndërsa prioritet i bashkëpunimit të mëtejmë do të jetë përmirësimi i procesit të vlerësimit  në akreditimin ndërkombëtar  të mjekëve familjarë të Kosovës.

“Në këtë proces jemi duke kërkuar bashkëpunim nga të tjerët dhe deri tash kemi mbështetjen e Maltës dhe të Egjiptit”, tha znj. Hith.

Ajo shprehu besimin se Mjekësia familjare në Kosovë do të shkojë duke u fuqizuar, ndërsa një rol të zgjeruar në fuqizimin e saj do të kate edhe Infermieria.
“Mjekësia familjare është e rëndësishme , sepse ato shtete që e kanë të fuqishme mjekësinë familjare dhe Kujdesin parësor Shëndetësor, ato do t’i kenë rezultatet më të mira me kosto më të ulët dhe në eliminimin edhe të pabarazive në shëndetësi”, tha ajo.

Genc Ymerhalili, drejtor i QZHMF-së, tha se bashkëpunimi me Kolegjin britanik ka filluar më 2000, marrëveshja e parë është nënshkruar më 2005, ndërsa vazhdimi i këtij bashkëpunimi tani është i rëndësisë së veçantë për zhvillimin e Mjekësisë familjare në Kosovë.