Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh vendos ligjshmërinë në Farmaceutikë

Pas konsultimit të vendimeve dhe rekomandimeve të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Shëndetësisë, të Zyrës Ligjore të Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM), Ministria e Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që në afat sa më të shkurtër, të gjitha institucionet shëndetësore në vend të zbatojnë vendimin me nr. ZMSH 154-VII-2009, të datës 15.07.2009, me të cilin nuk lejohet punësimi i farmacistëve nga shërbimi civil në depo farmaceutike private me shumicë dhe në barnatore private.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të vendosur ligjshmëri në sektorin farmaceutik mbështetet në vlerësimin e Departamentit Ligjor të MSh-së, i cili e kishte vlerësuar të ligjshëm vendimin e ministrit aktual që kishte shfuqizuar vendimin ZMSH nr. II-03.2005 të datës 01.03.2005,  të ministrit paraprak të Shëndetësisë lidhur me punësimin e farmacistëve në depot farmaceutike me shumicë.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë që t’u ndalohet farmacistëve nga shërbimi civil të punësohen edhe në depo farmaceutike është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, në pajtim me Ligjin Kundër Korrupsionit dhe i mbështetur edhe në rekomandimin e Departamentit Ligjor të MSH-së dhe në rekomandimin e Zyrës Ligjore të Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM).

Këto institucione kanë konstatuar se punësimi i farmacistëve që punojnë në institucione publike, konkretisht në AKPM, Departamentin Farmaceutik të MSH-së, në Barnatoret Publike të QKUK-së dhe në Spitalet Regjionale, është në kundërshtim me Ligjin kundër Korrupsionit (nenet 26, 27, 28, 29 dhe 30) si dhe Urdhëresën Administrative nr 2003/2 neni 29 “konflikt i interesave”.

Prandaj, vendimi  i Ministrisë, i datës 15.07. 2009 ndalon që farmacistët e punësuar si shërbyes civilë, të punojnë si farmacistë përgjegjës në Depo-Qarkullues privatë Farmaceutik me Shumicë dhe në barnatore private.

Duke respektuar ligjin dhe kompetencat që i jep ai, Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar nga të gjitha institucionet shëndetësore që ta zbatojnë këtë vendim konform detyrave dhe përgjegjësive që ju takojnë.