Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSH zbaton masat preventive rreth Gripit A H1N1

Vonesat në paraqitje te mjeku me kohë e bëjnë diskutabil mjekimin e drejtë të infektuarve.

Ministria vlerëson se situate është nën kontroll, por qytetarët kanë nevojë të tregojë kujdes të shtuar dhe pjekuri në zbatimin e masave, të cilat institucionet po i ndërmarrin dhe rekomandojnë me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës.

Ministria ka siguruar doza të mjaftuara për këtë fazë të medikamentit Tamiflu, i cili rekomandohet të jepet ekskluzivisht me përshkrim të infektologëve, derisa ka krijuar kushte që edhe institucionet private shëndetësore të kenë mundësi që sipas protokolleve të mjekimit, të japin këtë ilaç dhe vaksinat kundër Gripit.

Duke pasur për synim mbrojtjen e popullatës dhe ngritjen e nivelit të imunizimit, Ministria e Shëndetësisë, ka ngritur edhe numrin e vaksinave kundër Gripit sezonal, nga 5.000 sa ishte më 2007 dhe 12 .000 në 2008 në 20.000 sivjet.

Pas shpërndarjes së këtyre 20.000 vaksinave kundër Gripit sezonal, Ministria do të blejë edhe 20.000 vaksina të tjera, duke e ngritur në 50.000 numrin e këtyre vaksinave.

Ndërkohë, nesër do të mblidhet Grupi punues për manaxhimin e pandemisë për të vlerësuar situatën aktuale dhe masat e ndërmarra, dhe për të përcaktuar objektivat e ditëve të ardhshme me qëllim të menaxhimit sa më të drejtë të situatës.

Sipas raportit të ditës së sotme të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë evidentuar deri tash 221 raste të dyshimta me Gripin A H1N1, prej të cilave pozitive kanë rezultuar 68 raste.