Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Ditën ndërkombëtare të HIV/AIDS-it kërkohet më shumë vëmendje dhe parandalim

Prishtinë, 01. 12. 2014

Organizuar nga Qendra për Kujdes dhe përkrahje për personat që jetojnë me HIV/AIDS (KAPHA) dhe familjarët e tyre dhe Qendra për Zhvillim Komunitar (CDF), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, sot në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare  e AIDS-it.

Në tryezën e rrumbullakët kushtuar kësaj dite me temën: “Sfidat e personave që jetojnë me HIV dhe popullatave me rrezikshmëri të lartë”, përfaqësues të institucioneve, të shoqërisë civile dhe persona të grupeve të rrezikut diskutuan për problematikën e HIV/AIDS-it, në kërkim të nxitjes së një sensibilizimi më të fuqishëm për ngritjen e standardeve për parandalimin dhe trajtimin e të prekurve.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se bazuar në të dhënat rreth numrit të prekurve, Kosova nuk shquhet me ndonjë shkallë dramaticiteti sa i përket kësaj sëmundje, me që edhe prevalencë është e ulët, por, tërhoqi vëmendjen se megjithatë rreziku është I madh duke pasur parasysh aspektin demografik, ku Kosova shquhet me popullatë të re dhe elementin e migrimit, duke qenë që një numër I madh I qytetarëve kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe lëvizjet janë mjaft të theksuara.

Ministri tha se kjo sëmundje meriton një vëmendje të shtuar dhe për këtë arsye, MSh e trajton si prioritet të lartë dhe në bashkëpunim me Fondin Global, OBSH, UNICEF-in  dhe partnerët implementues të projektit të FG për HIV/AIDS po ndërmerren veprime të përbashkëta që lidhen me përditësimin e Strategjisë së re, avancimin e qendrave për testim vullnetar, sigurimin e terapisë dhe trajtimin e të prekurve dhe zhvillimin e programeve parandaluese.

Alban Gjonbalaj, kryetar i KAPHA, tha se Dita Ndërkombëtare e HIV/AIDS-it është  moment për të nxitur debate dhe për të sensibilizuar opinionin për përmirësimin e standardeve për përkujdesje ndaj të prekurve nga HIV/AIDS-I dhe parandalimin e rasteve të reja.

Znj.  Nermin Mahmuti, drejtoreshë e CDF , ka folur për implementimin e projektit për HIV/AIDS bashkë me nën-marrësit e tjerë , ndërkohë që menaxherja  e Programit për HIV të FG për Kosovë nga CDF, Dr. Edona Deva ka përshkruar aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij projekti, të arriturat, marrëveshjet e mirëkuptimit si ajo për zbatimin e programit për Metadon, hulumtimet rreth të prekurve nga HIV/AIDS-i, sfidat, etj.

Dr. Luljeta Gashi nga IKSHP ka prezantuar situatën epidemiologjike me HIV/AIDS në Kosovë. Ajo theksoi se prej vitit 1986 kur është paraqitur rasti I parë e deri më 2014, në Kosovë janë regjistruar 97 raste me HIV/AIDS, prej të cilave 40 kanë vdekur.  69% të tyre kanë qenë meshkuj, 31 femra, ndërsa mosha më e prekur ajo prej 35-44 vjeç.  Në vitin 2014, tha dr. Gashi, në Kosovë janë regjistruar 7 raste me HIV, ndërsa nuk ka pasur asnjë të vdekur.

Lidhur me sfidat psikologjike të personave me HIV/AIDS ka prezantuar një punim Violeta Zefi nga Asociacioni Kosovar i Personave që jetojnë me HIV, ndërsa dr. Xhevat Jakupi (IKSHP) ka  bërë prezantimin e rezultateve të hulumtimit biologjik dhe sjelljeve te grupet e rrezikut, ndërsa dr. Murat Mehmeti nga Klinika Infektive ka folur për aspektet klinike të trajtimit të personave të prekur, duke spikatur rëndësinë që pacientët që fillojnë terapinë me antiretroviral, të mos e ndërprejnë atë, siç çka ka ndodhur në disa raste.

Sa i përket sigurimit të terapisë, Dr. Agron Gashi, nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, theksoi se kjo organizatë do ta mbështes edhe më tej Ministrinë në sigurimin e terapisë antiretrovirale për pacientët që i nënshtrohen këtij trajtimi.