Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në IKSHP u mbajt seminari “Siguria e ushqimit, hartim i politikave dhe menaxhimi”

 

Në këtë seminar, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se qëllimi kryesor i hartimit të politikave për siguri ushqimore është që të mbrohen interesat dhe shëndeti i konsumatorëve

 

Prishtinë, 19 janar 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani mori pjesë sot në Seminarin: “Siguria e ushqimit, hartimi i politikave dhe menaxhimi”, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), në bashkëpunim Shoqatën JAAK “Alumni Asociacioni i Kosovës” dhe  JICA – Agjensioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Japonisë – Zyra në Kosovë.

Qëllimi i këtij seminari ishte që të diskutohet tema që ka të bëjë me sigurinë e ushqimit dhe njëkohësisht, përfituesit e programit të JICA nga IKSHP dhe Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës (AUVK) të ndajnë me zyrtarë të tjerë shëndetësor dhe të agjensionit, përvojat e fituara gjatë ndjekjes së programit për sigurinë e ushqimit në Japoni, ndjekur me mbështetejn e JICA.

Ministri Rrahmani falënderoi JICA për asistencën teknike që është duke i dhënë qe disa vite sektorit shëndetësor në Kosovë dhe theksoi se çdo qytetar i Kosovës, ka të drejtë të di se si është prodhur, procesuar, paketur, etiketur dhe shitur ushqimi të cilin e ka në tryezë. “Qëllim kryesor i hartimit të politikave për siguri ushqimore është që të mbrohen interesat dhe shëndeti i konsumatorëve”, tha Ministri Rrahmani.

Ai theksoi se MSh, sferën e sigurisë së ushqimit e mbulon përmes IKSHP-së, ku bëhet përpilim- monitorimi dhe zbatimi i politikave për shëndetësi publike.

“MSh do të mbështes avancimin e kuadrove të veta profesionale dhe do të angazhohet për mbajtjen e hapit me teknologjinë e kohës për kontrollin e kualitetit të ushqimit”, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se seminari është organizuar në një kohë kur siguria e ushqimit është temë aktuale në botë, ndërsa qëllimi është që të njihen sfidat aktuale dhe të definohen hapat që do ta rrisin sigurinë e ushqimit në vend.

Përfaqësuesja e JICA, Arbërore Riza, tha se JICA fokusin e saj në Kosovë e ka në përkrahjen e objektivave që i vendosin institucionet kosovare, përmës tre formave: asistencës teknike, granteve dhe kredive të buta. Në këtë aspekt, ajo tha se një numër i konsideruar i profesionistëve kosovarë deri tash kanë marrë përvoja praktike në Japoni lidhur me tema me interes shëndetësor dhe social.

Kurse, Nezakete Hakaj, kryesuese e shoqatës së pjesmërrësve në programet e JICA (JAAK), tha se qëllimi i aktiviteteve të shoqatës është shpërndarja në Kosovë e njohurive të fituara në Japoni nga pjesëmarrësit e programeve të ndryshme.

Dr. Egyl Binçe (IKSHP) ndërkaq, ka prezantuar para pjesëmarrësve përvojat e fituara nga ai gjatë ndjekjes së programit për sigurinë e ushqimit të ndjekur në Japoni.