Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në IKSHP u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar

Kjo ditë u shënua me moton: ”Mos lini asnjeri mënjanë: Promovimi i një shoqërie  për të gjithë”, ndërsa u bë edhe prezantimi i Broshurës “Ushqimi tek të moshuarit”, i publikuar  nga IKSHP me mbështetje të  “Caritas Kosova”.

Prishtinë, 1 tetor 2014

Në mjediset e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë u shënua sot Ditës Ndërkombëtare e Personave të Moshuar – 1  Tetorit, që sivjet po mbahet me  moton ”Mos lini asnjeri mënjanë: Promovimi i një shoqërie  për të gjithë”.

Me rastin e kësaj dite të organizuar nga IKSHP, u bë edhe prezantimi i Broshurës “Ushqimi tek të moshuarit”, i publikuar  nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) nëpërmjet Qendrës mbi Moshimin me mbështetje të  “Caritas Kosova”.

Në shënimin e kësaj dite, ku morën pjesë përfaqësues edhe të shoqatave të ndryshme dhe një numër i konsideruar të moshurish, u theksua rëndësia e përkujdesjes sa më adekuate për këtë kategori të shoqërisë, derisa u theksua se trendi i moshimit të popullatës në nivel global është duke shënuar rritje.

Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv I IKSHP-së, tha se, sipas OBSH-së numri i personave të moshës mbi 65 vjet, përkatësisht moshës së tretë, në botë është dyfishuar që nga viti 1980, ndërsa pritet që deri në vitin 2050 numri i personave mbi 65 vjet të tejkalojë numrin e fëmijëve deri në 14 vjet.

“ Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011 në Kosovë, gjithsej 6.7 % e popullsisë janë të moshës mbi 65 vjeç. Nga krahasimi me të dhënat e regjistrimeve të mëhershme shihet se edhe në Kosovë trendi i moshimit ka shënuar rritje.  Kjo nënkupton se edhe Kosova, ndonëse konsiderohet si vend me popullatën më të re në Evropë, e ka të pashmangshme përballjen me dimensionin e kërkesave dhe nevojave në rritje të popullatës së moshuar si një kategori shoqërore mjaft vulnerabile”, tha profesor Ramadani.

Ai tha se hulumtimi i vitit 2011 me të moshuarit në Kosovë dëshmon për një nivel  të lartë të varfërisë së vetë-perceptuar në mesin e njerëzve të moshuar (rreth 50%), si dhe për prevalencë të lartë të sëmundshmërisë kronike (rreth 80 % e njerëzve të moshuar raportuan të paktën një sëmundje kronike). Prandaj, theksoi profesor Ramadani, të gjitha të dhënat tregojnë se njerëzit e moshuar kanë nevojë për përkrahje dhe përkujdesje sociale, ekonomike dhe shëndetësore, përfshirë edhe përkujdesjen shtëpiake, që vë theksin në integrimin e komponentës së strehimit, kujdesit shëndetësor dhe kujdesit social.

Z. Qeram Telqiu, këshilltar i Ministrit Agani, tha se Ministria e Shëndetësisë prej aspektit të saj që ka të bëjë me komponentën shëndetësore, po bën çmos që përkujdesja shëndetësore për këtë kategori të jetë sa më gjithëpërfshirëse, ndërsa theksoi se reforma shëndetësore do të krijojë më tepër mundësi për zgjerimin e këtij kujdesi.

Z. Riza Shala, nënkryetar i Federatës së Sindikatave të të moshuarve të Kosovës theksoi se gjendja sociale dhe ekonomike e kësaj kategorie nuk është e mirë, ndërkohë që theksoi edhe rënien e nivelit të përkujdesjes familjare ndaj anëtarëve të tyre të moshuar.

Rrezarta Arifi, koordinatore e projektit për asistencë sociale në Caritas Kosova tha se kjo organizatë jo qeveritare I kushton kujdes të veçantë kategorisë së të moshuarev dhe në kuadër të projektit për kujdesin shëndetësor shtëpiak nëpër Komuna, ka mundësuar që shërbime të këtij lloji të përfitojnë 1200 persona në nevojë në Kosovë.

Broshura e promovuar ndërkaq, në këtë shënim ui tha se të jetë një mjet i dobishëm për të ngritur nivelin e njohurive  për nevojat dhe mënyrën e të ushqyerit, si për vetë të moshuarit, ashtu edhe për për të gjithë ofruesit e kujdesit ndaj të moshuarve, para së gjithash  ofruesit e kujdesit informal që përfshinë anëtarë të familjes apo të afërm të të moshuarve, sikur edhe nga ofrues të ndryshëm të shërbimeve mbështetëse në shtëpi, si dhe nga ofrues të shërbimeve në institucione të kujdesit ndaj të moshuarve.