Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Komunën e Gjilanit filloi programi i vizitave shëndetësore në shtëpi për kujdesin e nënës dhe fëmijës

Prishtinë, 8 korrik 2016

Komuna e Gjilanit – Departamenti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë ka promovuar sot programin për zbatimin e vizitave shëndetësore në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë në komunën e Gjilanit.

Këto vizita në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë janë në përputhje me prioritetet strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë për të ofruar qasje për të gjithë dhe për të mbrojtur dhe përmirësuar gjendjen shëndetësore të nënës dhe fëmijës, përmirësuar mirëqenien e tyre e posaçërisht të grupeve më të varfra dhe vulnerabile.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se fillimi i këtij projekti edhe në komunën e Gjilanit tregon për kujdesin që MSh së bashku me UNICEF-in është duke i kushtuar shëndetit të nënave dhe fëmijëve, si dhe grupeve më vulnerabile.

“Gjilani është komuna e gjashtë në Kosovë, ku po zhvillohet ky program. Realizimi i tij tregon për qëndrueshmëri, shëndet më të mirë për nëna dhe fëmijë që reflekton me shëndet dhe mirëqenien më të mirë, qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik”, tha Ministri Rrahmani.

Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, tha se është shumë e lumtur që programi i vizitave shtëpiake po realizohet në shumë komuna të Kosovës, ndërsa ka për qëllim të ofrojë mbrojtje më të mirë shëndetësore për nënat, fëmijët dhe grupet vulnerabile.

“Ky projekt, përveç aspekteve të përmirësimit të kujdesit shëndetësor, do të mundësojë të ketë progres edhe në arsim dhe fushat e tjera, ndërsa një aspekt tjetër i programit është edhe ndërtimi i kapaciteteve përkatësisht trajnimi i trajnerëve për vizitat shtëpiake”, tha znj. Gad, duke e vlerësuar lart përkushtimin e profesionistëve në realizimin e programit në komunat ku është duke u zbatuar.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se programi është në vazhdën e prioriteteve që Komuna e Gjilanit i ka dhënë shëndetësisë, me përkrahjen edhe të MSh-së, ku rëndësi e veçantë i kushtohet kujdesit përmes vizitave shëndetësore në familje, kontrollimeve sistematike shëndetësore në shkolla. “Ky program e ruan karakterin e shtyllës kryesore të programit tonë për shëndetësinë…”, tha Haziri.

Vizitat shtëpiake në komunën e Gjilanit do të zbatohen nga profesionistët shëndetësor të qendrave të ndryshme të mjekësisë familjare në komunën e Gjilanit, që sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Fejzulla Berisha, janë 22 sosh, prej të cilave 6 në qytetin e Gjilanit, ndërsa të tjerat në lokacionet dhe fshatrat e kësaj komune.

Në këtë takim, Ministri Rrahmani, i ka ndarë mirënjohje shefes së Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Gad për kontributin e dhënë gjatë mandatit të saj katër vjeçar në Kosovë për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, adoleshentëve dhe nënave, me që ajo, në fund të muajit, do të shkojë në një mision të ri në Gjeorgji.