Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Kosovë shënohet Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë

Dr. Tolaj tha se të dhënat e ndryshme flasin se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve është faktori kryesor në shfaqjen e rezistencës, ndërsa si pasojë e mos aplikimit të plotë të protokolleve mjekësore, në Kosovë rreth 50 %  e përdorimit të antibiotikëve mund të mos jenë adekuatë.

“MSH, në bashkëpunim me profesionistët shëndetësor të vendit, do të shtyjë para hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve adekuatë për përdorimin e antibiotikëve, me qëllim të uljes së rezistencës në antibiotikë, sepse përdorimi i drejtë i tyre ka një vlerë të veçantë për qendrat tona shëndetësore, por edhe për vet shëndetin e popullatës sonë”, tha ai.

Dr. Lul Raka, profesor i Mikrobiologjisë Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë dhe  koordinator i bashkëpunimit të MSH-së me Qendrën Evropiane për Kontrollin  dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se  rezistenca ndaj antibiotikëve është problem serioz i shëndetit publik në Evropë dhe kudo në botë, duke shënuar dyfishim në nivelin global gjatë 5 viteve të fundit.

“Çdo vit në Bashkimin Evropian(BE) vdesin afër 25.000 njerëz nga infeksionet e shkaktuara me baktere rezistente ndaj antibiotikëve.  Kostoja vjetore e shpenzimeve të shkaktuara nga rezistenca në BE shkon deri në 1.5 miliard euro”, tha ai.

Dr. Raka ka tërhequr vërejtjen për dukurinë e shpërdorimit me antibiotikë, qoftë për shkak të mungesës së resurseve për kontrollimin e tyre, vet-përdorimit të pakontrolluar, shpërdorimin në forma të tjera…

Ai tha se shpërdorimi i antibiotikëve është faktor kyç në shfaqjen e rezistencës.

Si kryesues i Grupit punës brenda MSh-së për hartimin e Strategjisë për përdorimin e drejtë të antibiotikëve, Raka, tha se deri në prill të vitit të ardhshëm, MSh do të hartojë këtë strategji që do të jetë në funksion të promovimit dhe vendosjes së objektivave të qartë për përdorimin e drejtë të antibiotikëve.