Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Mitrovicë u hap Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas dhe vizitohet Spitali

Ministri Rrahmani tha se duke njohur karakteristikat specifike që ka Komuna e Mitrovicës, MSh  i ka kushtuar vëmendje më të veçantë shërbimeve shëndetësore në këtë komunë, ndërkohë që ka theksuar nevojën e bashkëpunimit sa më të mirë midis këtij spitali dhe atij të Vushtrrisë me qëllim të sigurimit të shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës dhe komunave përreth

Prishtinë, 27 prill 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i shoqëruar nga Zëvendësministri Mevludin Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani, drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës si dhe mori pjesë në hapjen e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, që u realizua në bashkëpunim me organizatën “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” (Action for Mothers and Children).

Gjatë vizitës në Spitalin e Mitrovicës, Ministri Rrahmani me bashkëpunëtorë u njoh nga drejtori i Spitalit dr. Mirdi Strana dhe menaxhmenti tjetër me punën që bëhet në këtë spital, sfidat e përditshme dhe planet për të ardhmen.

Ministri Rrahmani tha se duke njohur karakteristikat specifike që ka Komuna e Mitrovicës, Ministria e Shëndetësisë i ka kushtuar vëmendje më të veçantë shërbimeve shëndetësore në këtë komunë, ndërkohë që ka theksuar nevojën e bashkëpunimit sa më të mirë midis këtij spitali dhe atij të Vushtrrisë me qëllim të sigurimit të shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës dhe komunave përreth.

Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani, theksoi nevojën që midis profesionistëve të dy spitaleve të këtë bashkëpunim të rregullt, ndërsa tha se Ministria po punon që të motivojë profesionistët shëndetësor që të vijnë për të punuar dhe ofruar shërbime në këtë spital.

Drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj dhe i Spitalit kanë theksuar se Spitali i Mitrovicës i ka disa vështirësi në sigurimin e një personeli të vazhdueshëm për disa prej degëve si anesteziologjia, emergjenca dhe kirurgjia, ndërkohë që u tha se po bëhen përgatitje që në këtë spital të hapet edhe shërbimi i hemodializës, përderisa kohë më parë janë funksionalizuar infektiva, neurologjia dhe fiziatria.

Në një bashkëbisedim me menaxherët e spitalit janë diskutuar mundësitë që spitali në të ardhmen të ofrojë shërbime sa më gjithëpërfshirëse, përderisa janë vizituar shërbimet dhe pacientët e shtrirë në këtë spital për marrjen e shërbimeve aty.

Në një aktivitet tjetër, po në komunën e Mitrovicës, bashkë me “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, u hap Qendra  Informuese për Shëndetin e Gruas, të cilën Ministri Rrahmani e vlerësoi si një model të mirë të bashkëpunimit të MSh-së me “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë”, UNFPA-në dhe partnerët e tjerë.

“Ne po i kushtojmë rëndësi të veçantë Kujdesit Parësor Shëndetësor si bazë ë sistemit shëndetësor”, tha Ministri Rrahmani, duke u zotuar se bashkëpunimet e këtij lloji do të vazhdojnë edhe në komuna të tjera.

Mrika Aliu, drejtoreshë e “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, tha se qendra e hapur do t’u ndihmojë grave dhe bashkëshortëve të tyre që të marrin këshilla profesionale për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, që lidhen me shëndetin reproduktiv.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi vlerësoi bashkëpunimin e mirë të shëndetësisë komunale të Mitrovicës me Ministrinë e Shëndetësisë dhe përkrahu fuqizimin e këtij bashkëpunimi.