Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në MSH u mbajt takimi i Grupit teknik për funksionalizimin e Spitalit të Mitrovicës

Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sot në këtë ministri u mbajt takimi i Grupit teknik për funksionalizimin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
Në këtë takim, përveç zyrtarëve të lartë të MSH-së, Ministrit, Sekretarit të Përgjithshëm Ilir Tolaj dhe këshilltarëve Qemajl Ahmeti e Samedin Haxhijaha, kanë marrë pjesë edhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të QKUK-së, dr. Lulzim Emini, Drejtori i SR të Mitrovicës dr. Agim Peci dhe Drejtori i Spitalit të Vushtrrisë dr. Vedat Mulaku dhe përfaqësues të tjerë të këtyre spitaleve.
Në takim u arrit pajtimi që në bashkëpunim të plotë të këtyre spitaleve mes veti dhe me ndihmën edhe të spitaleve të tjera rajonale dhe në koordinim me MSH-në, të funksionalizohen shërbimet njëzet e katër orëshe të kujdestarisë në SR të Mitrovicës, Shërbimi i Gjinekologjisë , Kirurgjisë dhe Emergjencës.
Në këtë takim, po ashtu, pjesëmarrësit janë pajtuar që të vazhdojë puna intensivisht ditëve në vijim për krijimin e kushteve që këto shërbime të jenë funksionale sa më parë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.