Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në MSh u mbajt takimi koordinues me donatorët në shëndetësi

Ministri tha se roli i donatorëve për MSh-në në procesin e reformave në shëndetësi, në veçanti për implementimin e Ligjit të ri të shëndetësi dhe Ligjit të sigurimeve të tyre pas miratimit të tyre në Parlamentin e Kosovës është krucial. Ai tha se komuniteti i donatorëve që e mbështesin shëndetësinë është shumë i ndjeshëm ndaj nevojave që ka shëndetësia sot si në ngritjen e kapaciteteve të reja ashtu edhe në riorganizimin e atyre ekzistuese. Ministri shprehu bindjen se stabiliteti i krijuar në MSh do të vazhdojë dhe kjo është mundësi e mirë që shëndetësia t’i adresojë drejt sfidat që i ka.

Në këtë kuptim, duke iu referuar raportit të Progresit-pjesës për shëndetësinë, Ministri Agani tha se çështjet e nënvizuara në këtë raport, në fakt do të jenë prioritete në të cilat do të fokusohet Ministria, ndërsa në këtë aspekt, ndihma e donatorëve do të jetë shumë e rëndësishme.

Pierre Weber, përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut ka folur për mbështetjen që komuniteti i donatorëve i ka dhënë shëndetësor dhe në këtë frymë edhe Qeveria e Luksemburgut përmes projektit të Lux Development, ndërsa ka kërkuar që në bashkëpunim të ngushtë, do të ishte me interes që të vazhdohet ne takime të rregullta për të parë cilat kanë qenë rezultatet dhe cilët janë hapat e radhës që duhet ndërmarrë.

Ai tha se është shumë e mirëseardhur që mediat të jenë të pranishme në këto takime sikurse sot me qëllim të informimit të drejtë për atë se çfarë po bën komuniteti i donatorëve në shëndetësi bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Ilir Tolaj, sekretar i Përgjithshëm i MSH-së ka folur për aktivitetet e ndërmarrë prej takimit të fundit me donatorët deri në takimin e tanishëm, duke shprehur gatishmërinë që grupe të përbashkëta të komunitetit të donatorëve dhe të MSh-së të punojnë më çështje specifike.

Duke numëruar adresimin e disa prej sfidave në shëndetësi, Sekretari ka folur për punët që janë bërë në infrastrukturës shëndetësore, në fushën e protokolleve klinike, draft ligjet në proces përfshirë edhe Ligjin për pajisjet dhe Produktet mjekësorë, mbulimin me terapi një qind për qind të pacientëve në dializë, rreth 80 për qind me citostatikë, kursimet në fushën e farmacisë, planin shtesë për vaksinim të komunitetit RAE dhe çështje të tjera.

Në këtë takim, përveç prezantimit të zhvillimeve në planin e zbatimit të Planit të Aksionit të Strategjisë Sektoriale, sfidat për raportin e progresit 2012, etj, është zhvilluar një diskutim edhe nga ana përfaqësuesve të shteteve donatore për shëndetësinë e Kosovës, përfaqësuesve  të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, të Ministrisë së Integrimeve , lidhur me projektet e ardhshme në shëndetësi dhe adresimin e sfidave që janë para shëndetësisë, për çka donatorët janë zotuar se do ta japin përkrahjen e tyre.