Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në MSh u promovua Regjistri i Barnave në Kosovë

Ministri tha se regjistri krijon lehtësime të mëdha edhe për farmacistët, ndërsa përfituesit e fundit në këtë zinxhir të bashkëpunimit, domosdo duhet të jenë pacientët, të cilët duhet të marrin barna të sigurta dhe të përshkruara në mënyrën e drejtë nga profesionistët shëndetësor.
Ministri Agani tha se Regjistri i Barnave-edicioni i dytë përmban mbi 100 molekula të reja në rreth 700 forma farmaceutike, të cilat i janë shtuar regjistrit nga edicioni i parë, duke e rritur kështu  fondin e formave farmaceutike në përdorim në Kosovë në rreth 2500.
Ministri theksoi edhe faktin se Regjistri mundëson që edhe barnat në Kosovë të bëhen pjesë e sistemit të informimit shëndetësor, ndërsa që formularët e farmako-vigjilencës, që janë pjesë e tij, do të mundësojnë raportimin e efekteve negative të barnave.
Prof. Dr. Rexhep Hoxha  nga Fakulteti i Mjekësisë dhe një nga autorët e Regjistrit tha se përveç faktit se regjistri përmban secilin bari të regjistruar në Kosovë dhe atyre që kanë autorizim-marketing, në regjistër është vendosur edhe katalogu i përdorimit të këtyre barnave në shtatzënësi, ndikimet, dozimi dhe kundërindikimet.
Profesor Hoxha tha se Kosova ka nevojë të regjistrojë ende barna të reja, të cilat sigurisht do të jenë pjesë e edicioneve të tjera që tashmë do të jenë tradicionale.
Besim Muzaqi, kryetar i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, tha se publikimi i këtij regjistri është një fillim i mbarë, që shpresohet se do t’u hyjë shumë në punë mjekëve dhe farmacistëve kosovarë, ashtu që ata t’u japin pacientëve barna të regjistruara dhe të sigurta.