Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Konferenca e 21-të e EPSO-s

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha në hapje të konferencës se mbështetja e organizatave që mbikëqyrin shërbimet shëndetësore ka rëndësi të veçantë, tash kur po  thellohet reformën shëndetësore për faktin që në Kosovë ka një numër të madh të institucioneve shëndetësore të cilat duhet të mbikëqyren

Prishtinë, 2 qershor 2016 

Organizuar nga EPSO (European Partnership for Supervisory Organization in Health Services and Social Care) dhe Ministria e Shëndetësisë-Inspektorati Shëndetësor, sot në Prishtinë i filloi punimet dy ditore Konferenca e 21-të e EPSO-s.

Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të Evropës i përshëndeti Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i cili e vlerësoi shumë faktin që EPSO (Partneriteti Evropian për Organizatat Mbikëqyrëse në Shërbimet Shëndetësore dhe Kujdesin Social)ka zgjedhur Kosovën për ta mbajtur një konferencë të tillë.

Mbështetja e organizatave që mbikëqyrin shërbimet shëndetësore, tha ai, ka rëndësi të veçantë kur po e thellojmë reformën shëndetësore, sidomos në Kosovë ku ka numër të madh të institucioneve shëndetësore të cilat duhet të mbikëqyren.

“Inspektorati Shëndetësor po e bën të pamundurën që të jetë në nivel të detyrës dhe janë shënuar rezultatet inkurajuese përkundër resurseve të kufizuara”, theksoi Ministri Rrahmani, duke shtuar se mbikëqyrja është element që duhet të instalohet në çdo kohë.

Ai tha se MSh po mundohet që edhe përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit midis ISH të Kosovës me organizatat si motra jashtë vendit, ta rris nivelin e punës dhe kapacitetet e Inspektoratit.  “Inspektorati është dora e djathtë e Ministrisë…”, tha Ministri.

Një prezantim lidhur me karakteristikat e përgjithshme të Kosovës, në veçanti ato të sistemit shëndetësor dhe niveleve të kujdesit të tij e ka prezantuar Kryeinspektorja Ardita Baraku, ndërsa më pastaj  ekspertë të fushës së mbikëqyrjes së shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit social nga Danimarka, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Estonia, Norvegjia, Sllovenia, Suedia, Skocia, Uellsi, Shqipëria, Bullgaria, Shqipëria e Kosova, kanë vijuar me punime në grupe dhe diskutime interaktive për temat që lidhen me mbikëqyrjen dhe monitorimin e institucioneve shëndetësore dhe të kujdesit social, e-shëndetësinë, normat dhe standardet e saj, e-shëndetësinë dhe telemjekësinë dhe tema të tjera të fushave përkatëse.

Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe ditën e premte.