Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Konferenca e tretë Ndërkombëtare për Gastroenterologji dhe Hepatologji

Prishtinë, 20.11.2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani ka marrë pjesë sot në hapjen e Konferencës së tretë Ndërkombëtare për Gastroenterologji dhe Hepatologji, e organizuar nga Shoqata e Endoskopistëve Gastrointestinal të Kosovës me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë, që po mbahet në Prishtinë.

Ministri Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë do të përkrahë çdo aktivitet që për qëllim ka ngritjen dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të vendit.

“Gastroenterologjia në vendin tonë ka krijuar traditë të shërbimeve shëndetësore në këtë fushë, gjë që e dëshmon se është në rrugë të drejtë edhe me organizime të tilla që ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritjen e kapaciteteve të reja në këtë fushë, por edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve të përditshme”, tha ministri Rrahmani.

“Andaj e them se Ministria e Shëndetësisë do të jetë përkrahëse e aktiviteteve të tilla, të cilat përmes ligjërimeve të ekspertëve të kësaj fushe, bëjnë të mundur që profesionistët shëndetësorë të njihen me më të rejat shkencore të Gastroenterologjisë e të cilat pastaj mund t’i praktikojnë në vend”, tha ministri Rrahmani.

Konferencën e ka hapur Kryetari i Shoqatës së Endoskopistëve Gastrointestinal të Kosovës, Dr. Skender Telaku, ku ka bërë një rezyme të shkurtër të punës së dy konferencave paraprake, dhe përfitimet që kanë dalë nga to, si dhe ka informuar të pranishmit për përmbajtjen që do të ketë Konferenca e tretë, në të cilën do të ligjërojnë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë.

Ndryshe , konferenca është një ditore dhe do të ligjërojnë ekspertë të Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë, nga vendet si Turqia, Italia, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.