Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Mjekësisë Familjare

 

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Asociacioni i Mjekëve Familjarë të Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nën patronatin e kryetarit të kësaj komune, prof. Dr. Isa Mustafa, sot në Prishtinë i filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare e Mjekësisë Familjare, me moton: "Kujdesi Parësor Shëndetësor-reformat e sistemit shëndetësor".

Me një pjesëmarrje impresive të profesionistëve shëndetësore nga Kosova, por edhe nga vendet e ndryshme si SHBA, Britania e Madhe, Kanada, Islanda, Sllovenia, Turqia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maedonia, Mali i Zi, etj., në këtë konferencë dy ditore po shtjellohen shumë tema profesionale lidhur me Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe reformat në shëndetësi, ndërkohë që kjo është konferenca e para në rajon e certifikuar nga WONCA-Organizata Botërore e Mjekëve Familjar, Presidenti i së cilës , Dr. Anthony Mathie, ka përshëndetur personalisht pjesëmarrësit e conferences me praninë e tij.

Ai tha se ajo që duhet t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës profesionistët shëndetësor, është lidhja apo aleanca që ata duhet të mbajnë gjithë jetën me pacientët e tyre.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Kadir Hyseini, ka shprehur mbështetjen e MSh-së për procesin e reformave, duke theksuar se në kuadër ta reformave në sistemin shëndetësor, Kujdesi Parësor Shëndetësor, do ta ketë vendin e vet meritor, si gurthemel i shëndetësisë kosovare.

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, tha se kjo komunë tashmë ka instaluar një rrjet të mirë të institucioneve të Kujdesit Parësor shëndetësor dhe është ngritur infrastruktura dhe cilësia e shërbimeve, ndërsa në të ardhmen, shtoi ai, , bashkë me MSh-në, do të gjenden mundësitë ligjore për ngritjen e Spitalit të Prishtinës, me miratimin e Ligjit për Prishtinën, i cili, do të arrijë dy efekte: të ofrojë shërbimet shëndetësore edhe më afër qytetarëve të Prishtinës dhe ta shkarkojë QKUK-në nga fluksi i madh i pacientëve.

Dr. Genc Ymerhalili, drejtor i Qendrës së Zhvillimit të Mjekësisë Familjare në Kosovë, tha se me përkrahjen e MSh-së në Kosovë po implementohet koncepti i mjekësisë familjare, i cili do të zhvillohet edhe më tej me angazhimin e të gjithë profesionistëve të KPSH-së, por edhe me pozicionimin e këtij niveli në nivel dinjitoz në kuadër të sistemit të reformuar shëndetësor në Kosovë.

Konferenca do t’i vazhdojë edhe nesër punimet, duke filluar nga ora 10:00 në hotel Emerald në Prishtinë dhe në punime pritet të marrë pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, prof. dr. Ferid Agani.