Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Konferenca ndërkombëtare për Mjekësinë Emergjente

Ministri Agani i ka siguruar profesionistët e shërbimeve emergjente mjekësore se në kuadër të masave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate për përmirësimin e gjendjes në shëndetësinë kosovare, veprimi i menjëhershëm konkret do të jetë nënshkrimi i Kontratës Kolektive me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, që do të bëhet sot, e cila, theksoi Ministri, do t’i tejkalojë ato hendeqe që janë krijuar me miratimin e Ligjit të ri të punës në vlerësimin e punës së shërbimeve specifike dhe kujdestarive.
“Punëtorëve të shërbimeve emergjente dhe të shërbimeve të tjera që kanë natyrë specifike të punës, do t’u sigurohen kompensimet që i meritojnë”, është zotuar Ministri.
Si masë tjetër afatshkurtër ministri ka përmendur zgjerimin e hapësirave të punës në QKUK dhe spitalet e tjera, derisa në planin e masave afatgjate, ai tha se do të angazhohet maksimalisht që të sigurohen donacione për ndërtimin e një Qendre të re emergjente.
Ministri Agani , tha se masat për avancimin e shërbimeve emergjente në Republikën e Kosovës do të zbatohen në QKUK, në spitalet e tjera, në spitalet private të vendit si pjesë e sistemit unik të shëndetësisë dhe të integruar edhe më shërbimet e tjera emergjente si ato të KFOR-it dhe mekanizmave të tjerë.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Lulzim Emini, tha së në kuadër të kësaj qendre, shërbimi emergjent është trajtuar gjithnjë si prioritet, për faktin se Qendra Emergjente në QKUK ofron shërbime të kësaj natyre jo vetëm për Prishtinën, por për krejt Kosovën. “Kompozicioni i saj multidisiplinar, ia rrit vlerën këtij shërbimi”, ka theksuar Emini.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, tha se kjo konferencë është një moment i mirë që të këmbehen njohuritë midis profesionistëve për shërbimet emergjente, derisa theksoi se pas hapjes së specializimeve në këtë fushë, tani është në përfundim e sipër të diplomimit, gjenerata e katërt e specializantëve nga kjo fushë. 
Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe ditën e shtunë.