Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Konferenca ndërkombëtare për Politikat profesionale dhe edukimin klinik

Organizuar nga Asociacioni i Mjekëve Gjermanë  ( Bundesarztekammer )  dhe Qendra Klinike Universitare e Manhajmit në  Gjermani ( University Medical Centre of Mannheim, Germany), mbështetur nga Fondacioni “Hans-Neuffer-Stiftung” dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës sot në Prishtinë i ka filluar punimet konferenca dy ditore :“Politikat profesionale dhe edukimi klinik (Profesional Policy and Clinical Education).
Kjo konferencë dy ditore ka mbledhur në Prishtinë ekspertë të fushës së shëndetësisë nga Gjermania si Dr. Frank Ulrich Montgomery, President i Asociacionit Mjekësor Gjerman; Prof. dr. Otmar Kloiber, Sekretar Gjeneral i Asociacionit Botëror Mjekësor (Ëorld Medical Association) Rudolf Henke, Mdb, anëtar i Bundestagut Gjerman dhe  Kryetar i Unionit të Mjekëve “Marburger Bund” dhe të tjerë, të cilët bashkë me vendimarrësit në shëndetësinë kosovare dhe klinicistët, po diskutojnë për praktikat e mira në politikat shëndetësore dhe përvojat e ndryshme klinike.
Në hapje të kësaj  ngjarje të rëndësishme, ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Dr. Ernst Reichel , i cili ka theksuar se Kosova është shtet i ri në Evropë dhe si i tillë, do të përfitojë nga ky lloj i bashkëpunimit me shtetin e Gjermanisë në fushën e shëndetësisë.
Ministri Ferid Agani tha se kjo konferencë vie në kohën më të mirë të mundshme, në kohën kur Ministria e Shëndetësisë, për herë të parë pas dymbëdhjetë vjetësh, ka arritur marrëveshje me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, për mbështetje reformave në shëndetësinë kosovare, e para së gjithash Projektligjit për Sigurime Shëndetësore dhe krijimit të Fondit të Sigurimeve.
Pasi ka bërë një prezantim të thuktë për rolin që duhet ta kenë mjekët kosovarë në proceset e ardhshme reformuese të shëndetësisë kosovare, Ministri Agani ka theksuar se bashkëpunimi i MSH-së, QKUK-së me Asociacionin e Mjekëve të Gjermanisë, Unionin e Mjekëve “Marburger Bund” dhe Asociacionin Botëror të Mjekëve, ka krijuar edhe premisat që Kosova me Ligjin e ri për Shëndetësi të krijojë Odën e Profesionistëve Shëndetësor, në kuadër të së cilës do të jenë Oda e Mjekëve, e Stomatologëve, Farmacistëve dhe Oda e Infermierisë.
Dr. Frank Ulrich Montgomery, President i Asociacionit Mjekësor Gjerman, tha se konferenca është një mundësi e mirë që të ndahen përvojat midis profesionistëve shëndetësor nga Gjermania dhe Kosova, në mënyrë që përvojat e mira ta ndihmojnë Kosovën që të ketë një sistem shëndetësor të fortë.
Prof. Dr. Stefan Post, drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Manhajmit, tha se entuziazmi që ekziston në bashkëpunimin midis kësaj qendre dhe QKUK-së, duhet të shfrytëzohet për organizimin sa më të mitë të klinicistëve të QKUK-së, pasi që, theksoi ai, një sistem shëndetësor i avansuar, kërkon edhe specialistë të fushave përkatëse.
Prof. dr. Otmar Kloiber, Sekretar Gjeneral i Asociacionit Botëror Mjekësor, tha se për profesionistët shëndetësor kosovarë është me rëndësi që të jenë pjesë e zhvillimeve në shëndetësi, pasi që, theksoi ai, brenda sistemit shëndetësor, edhe mjekët duhet të jenë të organizuar. Sipas tij, është ekstremisht e nevojshme që sistemi të zhvillohet hap pas hapi, ndërsa themelimi i Odës së Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë, do të ndihmojë në këtë drejtim.

Konferenca do t’i vazhdojë edhe nesër me tema të ndryshme profesionale, kurse ndërsa në orën 16:00 (më 27. 09. 2011)do të themelohet Këshilli i Përgjithshëm Profesional,  i emëruar nga Ministri Agani, për konstituimin e Odave të Profesionistëve Shëndetësor.