Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Konferenca për zhvillimin e fëmijërisë së hershme në Kosovë

Prishtinë, 20. 11. 2013

 

Organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, mbështetur nga Zyra e Rajonale dhe ekspertët ndërkombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë dhe partnerë të tjerë, sot në Prishtinë i ka filluar punimet Konferenca dy ditore: “Përkrahja e zhvillimit të fëmijërisë së hershme në Kosovë – roli i vizitave në shtëpi dhe shërbimet gjithëpërfshirëse”.

Qëllimi i konferencës është që të analizohen dhe të  merren parasysh ndryshimet e shumëfishta dhe përpjekjet për reforma në rajonin e CEE/CIS , të mësohet  lidhur me atë se çfarë mund të bëhet në bazë të  dëshmive të mëdha evropiane dhe ndërkombëtare dhe të zhvillohen  hapat e ardhshëm për të mbështetur dhe udhëzuar drejtimin e sistemeve përkrahëse për familje, në sigurimin e shëndetit më të mirë, zhvillimin optimal, mbrojtjen dhe mirëqenien e përgjithshme të gjeneratës së ardhshme.

Znj. Laila Omar Gad,  Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se organizimi i kësaj konference është një mundësi e mirë që përmes këmbimit të përvojave me ekspertët ndërkombëtarë, autoritetet kosovare të avancojnë rolin e vizitave shtëpiake si çelës për programet që mundësojnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme, duke pasur parasysh impaktin e madh që ka ky zhvillim në shëndetin e tyre dhe produktivitetin e familjeve.

Ajo tha se përmes përmirësimit të sistemeve për mbështetje familjare, duhet të mundësohet parandalimi i varfërisë tek fëmijët, parandalimi i sëmundjeve të ndryshme, duke siguruar një mbështetje kritike për shërbimet shëndetësore, sociale dhe edukative për fëmijët në Kosovë.

Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë, tha se disa aspekte të reformës shëndetësore të filluar nga MSh kanë për objektiv përmirësimin e shëndetit në fëmijërinë e hershme dhe, theksoi ai, sukseset në këtë fushë do të jenë të mundura kur qasja të jetë multisektoriale dhe kur programet e MSh-së të jenë komplementare me ato të MASHT-së, MPMS-së  me qëllim të sigurimit të qasjes gjithëpërfshirëse.

“Konsideroj se në programet tona zhvillimore, aspektin e mbështetjes së fëmijërisë së hershme duhet ta trajtojmë me një seriozitet të madh dhe në bazë të përvojave edhe të vendeve të tjera, ashtu që të dizajnojmë programe konkrete dhe reale. Në këtë aspekt, MSh është shumë e motivuar për një bashkëpunim multisektorial”, tha Ministri Agani.

Ramë Buja, Ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, tha se, me që synimi i përbashkët është që të rriten fëmijë të shëndoshë dhe të edukuar, bashkëpunimi midis ministrive dhe partnerëve është i domosdoshëm. Ai ka prezantuar një pasqyrë të përfshirjes së fëmijëve në institucionet parashkollore dhe aspektet të legjislacionit për mbrojtjen dhe edukimin  e tyre.

Fatmir Shurdha, Zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka folur për shërbimet e sferës sociale që fëmijëve u ofrohen në Kosovë.

Në hapje të konferencës një prezantim për përkrahjen e familjeve për mirëqenien e  fëmijëve të vegjël e ka prezantuar Dr. Octavian Bivol, këshilltar nga Zyra Rajonale e UNICEF-it (CEE/CIS), derisa Dr. Giorgio Tamburlini, drejtor i Shkollës Evropiane për shëndetin e fëmijëve të porsalindur dhe adoleshentë në Trieste të Italisë, ka prezantuar aspekte për rolin e sektorit shëndetësor në promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve në Rajonin e Evropës Juglindore.

Në këtë konferencë, e cila i vazhdon punimet edhe nesër, po marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, MASHT-i, zyrtarët e MPMS-së, anëtarë të Kuvendit, autoritetet lokale, profesionistët e shëndetësisë dhe arsimit, menaxherët dhe profesionistët e mirëqenies sociale dhe zyrtarë nga OBSH, UNFPA dhe OJQ-të në Kosovë. Gjithashtu edhe Zyrat e UNICEF-it dhe homologët nga Kroacia, Bosnja edhe Hercegovina, etj.