Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Kongresi i 2-të i Farmacistëve të Kosovës

Prishtinë, 23 maj 2014

Organizuar nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës së bashku me Agjensionin e Kosovës për Produkte Mjekësore dhe me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë, sot në Prishtinë i filloi punimet Kongresi  i 2-të i Farmacistëve me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe me temë: Reformat në sektorin farmaceutik.

Qëllimi i këtij Kongresi është që të trajtojë në mënyrë të veçantë ndikimin që do të kenë Ligji mbi Sigurimet Shëndetësore dhe Ligji mbi Produktet dhe Pajisje Medicinale në procesin e reformave shëndetësore në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha në hapje të këtij Kongresi tha se nuk ka rrugë më të mirë për ndërtimin e shtetit se sa përmes ngritjes së vazhdueshme profesionale të profesionistëve të saj, në këtë rast farmacistëve.

Ai tha se ky sektor në vazhdimësi, përkundër sfidave, ka shënuar ngritje duke u bazuar edhe në vlera të mirëfillta dhe shkencore të farmacistëve kosovarë dhe kjo rritje nuk ka qenë e shprehur vetëm në vëllim, por edhe në cilësi.

Ministri Agani ka vlerësuar se tema kryesore e Kongresit është shumë adekuate dhe në një moment të rëndësishëm për shëndetësinë kosovare, menjëherë pas miratimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Ligjit për pajisjet dhe Produktet mjekësore, që hapin mundësi për zhvillim të reformave edhe në sektorin farmaceutik.

Nga ky kongres, Ministri Agani, u ka bërë thirrje farmacistëve që të marrin pjesë në zgjedhjet për Odën e Farmacistëve të Kosovës, duke zgjedhur një lidership të mirë që do të avancojë profesionin e farmacistëve në Kosovë.

Kryeshefi ekzekutiv (U.D), i Agjensionit të Kosovës për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, Arianit Jakupi, tha se organizimi i Kongresit tregon për një mbështetje të fuqishme që sektori farmaceutik do t’i jap procesit të reformave, ndërsa theksoi se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore dhe Ligji për Produkte dhe Pajisje Mjekësore do të jenë instrumente të mira, të cilat do t’i ndihmojnë avancimit të sektorit farmaceutik në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, Agim Çaka, tha se sot, më shumë se kurrë farmacistët kosovarë ka nevojë që ta japin kontributin e tyre për shëndetin e qytetarëve të vendit. “Ne si profesionistë, do t’u qasemi në mënyrë sa më profesionale sfidave që janë dhe do të jemi pjesë e reformave shëndetësore”, tha ai.

Kryetarja e Këshillit Organizativ të Kongresit, Arbenita Pajaziti, tha se Kongresi i 2-të i farmacistëve vjen si rezultat i suksesit të Kongresit të 1-rë që është mbajtur në vitin 2010, kur edhe ishte bërë zotimi se kjo ngjarje do të bëhet traditë dhe do te organizohet çdo katër vjet.

Ajo ka thënë se zyrtarët përgjegjës të MSh-së, Shoqatës, AKPM-së dhe ekspertë të Bankës Botërore si dhe mysafirët dhe ligjëruesit e ftuar, gjatë Kongresit do të ndajnë mes veti përmes debateve pritjet dhe eksperiencat lidhur me reformën në sistemin farmaceutik.

Kongresi do t’i vazhdojë punimet edhe ditën e shtunë.