Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë po mbahet Kongresi i Anesteziologëve ballkanikë

Prishtinë 24.04.2014

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani mori pjesë sot në hapjen e Kongresit për Anestezi Pediatrike dhe Kujdesit Intensiv, që po mbahet në Prishtinë.

Ministri Agani tha se  “kjo ngjarje është një moment shumë i rëndësishëm në shëndetësinë kosovare në përgjithësi, e në veçanti në Anesteziologji dhe Reanimacion, dy fusha këto që luajnë rol të drejtpërdrejtë në shpëtimin e jetëve të pacientëve”. Kjo lëmi e veçantë, shtoi ai, në Kosovë shënon ende mungesa sa i përket numrit të profesionistëve dhe kapaciteteve të tjera.

“Ky kongres po mbahet në fillimin e reformës përmbajtjesore të shëndetësisë, reformës financiare, riorganizimit të shërbimeve shëndetësore, themelimit të sigurimeve shëndetësore, ku do të kemi së shpejti sistemin e sigurimit shëndetësor, dhe kjo reformë kërkon të shoqërohet edhe me reformën e edukimit mjekësor”, tha Ministri Agani.

 

“Prezenca e ekspertëve të shteteve të Ballkanit i jep rëndësi të veçantë këtij kongresi dhe njëkohësisht shpresë për përmirësimin e këtij sektori në Kosovë”, theksoi ai.

 

“Organizimi i kongresit si bashkëpunim i Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, është shembull për shtetet ballkanike se kur është fjala për shëndetin nuk duhet të ketë kufij, por këto bashkëpunime të sjellin rezultate në ngritjen e nivelit profesional shëndetësor”, tha Agani.

 

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Songül Ozan, përgëzoi për marrëdhëniet e bashkëpunimit që janë duke u bërë në mes dy shteteve mike, duke e theksuar se  organizime të tilla vetëm se sa i forcojnë urat lidhëse në mes shteteve të Ballkanit. “Shembulli i këtij organizimi e dëshmon seriozitetin dhe përkushtimin që ka Republika e Turqisë në ngritjen e nivelit të marrëdhënieve reciproke, jo vetëm në fushën e shëndetësisë, por në të gjitha fushat jetësore”, tha Ambasadorja Ozan.

 

Pjesëmarrësit në Kongres i përshëndeti edhe Ministri i Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Mahir Jagxhilar, duke potencuar se Ministria të cilën ai e drejton edhe pse nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me sektorin shëndetësor, do të mundësoj që shëndetësia të furnizohet me pajisje të teknologjisë informative.

 

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës,  Prof. Dr. Salih Ahmeti, tha se “ Fakulteti i Mjekësisë i sheh me përkujdesje të veçantë organizimet e tilla, e sidomos kur ato organizohen në nivel ndërkombëtar”, duke shtuar se këto shkëmbime të përvojave profesionale shërbejnë në ngritjen profesionale dhe janë kontribut për shëndetin e popullatës.

 

Organizatorët e Kongresit, udhëheqësit e Shoqatës së Anesteziologëve të Kosovës dhe Turqisë kanë sqaruar se qëllimi i këtij kongresi është ngritja e kapaciteteve profesionale në fushën e Anesteziologjisë Pediatrike dhe Kujdesit Intensiv si dhe shkëmbimi i përvojave të ekspertëve në këtë lëmi shëndetësore.

 

Kongresi i Anestezisë së Pediatrisë dhe Kujdesit Intensiv me moton “Ditët e anestezionit të Shteteve Ballkanike-Anestezioni Pediatrik dhe Kujdesi Intensiv” në të cilën po marrin pjesë numër i madh i anesteziologëve nga i gjithë Ballkani,  është i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga shoqatat e anesteziologëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

 

Kongresi do t’i zhvillojë punimet deri më 26 prill 2014.