Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë u mbajt konferencë profesionale për Melanomën malinje dhe Karcinomën e lëkurës

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Ferid Agani, duke përshëndetur pjesëmarrësit e kësaj konference, ka spikatur relevancën që ka melanoma malinje si sëmundje, sidomos gjatë stinës së verës, ndërsa ka theksuar se institucionet e vendit në bashkëpunim me ekspertët e dermatovenerologjisë , do t’i qasen me seriozitet trajtimit gjithëpërfshirës së saj dhe e në këtë aspekt, duhet përpiluar edhe strategji për parandalimin e sëmundjeve malinje, përfshirë edhe melanomën malinje.
Ministri u ka folur të pranishmëve edhe për procesin e reformave ë shëndetësi të cilin është duke e udhëhequr, duke theksuar punën në përfundim e sipër me Ligjin e ri të Shëndetësisë, Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore dhe ligjet e aktet e tjera.
Ministri Agani, ka rikujtuar se shëndetësia kosovare është më pak e financuar se kudo tjetër në rajon dhe më gjerë, ndërkohë që ka përgëzuar profesionistët shëndetësor të vendit, për të cilët tha se kanë arritur rezultate larg më të mira se sa niveli i financimit që ka qenë për shëndetësinë.

Dr. Jasna Lipozenqiq, nga Klinika e Dermatovenerologjisë-KBC Zagreb, ka inkurajuar dermatovenerologët kosovarë që të avancojnë me njohuritë e tyre profesionale, duke ndjekur shembullin kroat, teksa ka theksuar se në këtë proces të arritjes së rezultateve që kanë vendet e BE-së në këtë fushë, ata do ta kenë mbështetjen e kolegëve të tyre nga Kroacia.

Dr. Gani Bajraktari, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, shprehu besimin se konferenca e dermatovenerologëve kosovarë, do të reflektojë me rezultatet të mira në diagnostikimin dhe trajtimin e melanomës malinje si një sëmundje vrasëse, derisa përgëzoi Ministrin Agani për qasjen e tij që në procesin e reformave në shëndetësi, ku zëri i profesionistëve do të ketë edhe ndikim vendimmarrës.

Dr. Nijazi Ahmeti, kryetar i Këshillit Organizativ të Konferencës, tha se “euromelanoma”  është një fushatë mbarë evropiane për parandalimin e kancerit të lëkurës dhe që ka për qëllim të jap informacione për të gjithë lidhur me parandalimin , diagnozën e hershme dhe trajtimin.
“Vetëm informimi i drejtë dhe ndryshimi i sjelljes në raport me të mund të mbrojnë nga kjo sëmundje”, tha ai.

Gjatë kësaj konference janë mbajtur pesë ligjërata kushtuar melanomës malinje nga klinicistët më të njohur kroat të fushës së dermatovenerologjisë.