Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë u mbajt takim informues për Gripin A H1N1

Ministri i Shëndetësisë Alush Gashi ka thënë se me gjithë disa raste të reja të gripit në Kosovë, situate është nën kontroll dhe se qytetarët e vendit nuk kanë nevojë për panik, por kanë nevojë për vigjilencë të shtuar.

Ministri ka theksuar se Ministria do të blejë vaksinat kundër Gripit A H1N1, ka siguruar doza të mjaftueshme për këtë fazë të medikamentit Tamiflu dhe do të zbatojë me përpikëri secilin rekomandim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Jusuf Dedushaj, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë se prej 5 mostrave të dyshuara të marra të hënën në Kosovë, dy kanë rezultuar pozitive, duke e ngritur numrin e të prekurve nga virusi H1N1 në 8, pa llogaritur këtu edhe tri raste të raportuara në vendbanimet serbe, në Kosovë, me të cilat numri i të infektuarve shkon në 11.

Megjithatë, ka porositur Dedushaj, situata po përcillet më vëmendje, janë ndërmarra të gjitha masat preventive dhe Qendra Kombëtare për Grip në IKSHP, tashmë është në gjendje që brenda ditës të kryejë analizat për gripin A H1N1.

Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, ka thënë se kjo organizatë ka bërë zotimin për mbi 220 mijë vaksina donacion për Kosovën, të cilat pritet të vijnë në dy faza: faza e parë në dhjetor dhe tjetra më vonë, derisa ka vlerësuar se MSH ka treguar përkushtim të veçantë në menaxhimin e situatës.

Dr.  Salih Ahmeti nga Klinika Infektive ka folur për një rast AH1N1 pozitiv të shtrirë në këtë klinikë, i cili, sipas tij, ka qenë në gjendje të rëndë, por që gjendja e tij sot ka treguar shenja stabilizimi, edhe pse ka theksuar se në mjekësi, garanci nuk ka asnjëherë.

Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Enver Hoxhaj, i cili ka marrë pjesë në këtë takim, ka thënë se MASHT do të ndjek me përpikëri rekomandimet e MSH-së dhe IKSHP-së, sa u përket veprimeve në shkolla, dhe deri tash, ka theksuar ai, nuk është parë e arsyeshme që mësimi të ndërpritet.

Rekomandimet e IKSHP-së dhe MSH-së, ministrat Gashi e Hoxhaj kanë theksuar se do të kalojnë menjëherë në vendime, në mënyrë që situate të menaxhohet në mënyrë korrekte.

Në këtë takim kanë marrë pjesë shumica e drejtuesve të spitaleve të Kosovës dhe qendrave të tjera shëndetësore në vend dhe është bërë e ditur se aktivitetet për ballafaqim sa më të suksesshëm më Gripin e ri AH1N1 në Kosovë do të zhvillohen sipas planeve të veprimit.