Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë u mbajt videokonferenca për Gripin AH1N1

Profesionistët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe të spitaleve rajonale, kanë dëgjuar  nga ekspertë të angazhuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për përvojat e tyre në trajtimin klinik të rasteve të A H1N1.

Video-konferenca ka qenë një lidhje drejtpërdrejt e Prishtinës me Danimarkën, Britaninë e Madhe dhe Italinë, gjatë të cilës klinicistët kanë këmbyer mes vete përvojat rreth trajtimit të rasteve të A H1N1, me theks të veçantë ordinimit të oksigjenit në rastet e Gripit A H1N1, terapisë me Tamiflu dhe me medikamente te tjera.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë dr. Skënder Syla e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë videokonferencë dhe ka theksuar se si konkluzion i saj është theksuar rëndësia e monitorimit të oksigjenoterapisë dhe pulsoksimetrisë, pastaj mos rekomandimi i dhënies së kotizonikëve te rastet me A H1N1 dhe infuzioneve.

Videokonferenca ishte një rast i mirë që klinicistët kosovarë të marrin përvojat nga vendet të cilat kanë pasur numër të madh të rasteve me A H1N1.

Gjatë ditës së sotme ndërkaq, Grupi punues për menaxhimin e pandemisë ka mbajtur takimin e rregullt në të cilin ka vlerësuar se situata rreth Gripit A H1N1 në Kosovës është relativisht e qetë, por shqetësuese megjithatë, dhe se po zbatohen me përpikëri masat që ka parashtruar Ministria e Shëndetësisë.

Grupi është njoftuar se deri tash në Kosovë janë konfirmuar 193 raste me A H1N1 pozitiv dhe në klinikën Infektive po trajtohen disa pacientë me virusin A H1N1 , gjendja e të cilëve është stabile.