Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prishtinë u prezantua Raporti botëror mbi aftësinë e kufizuar

Në këtë prezantim, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se adresimi i nevojave të kategorisë së personave me nevoja të veçanta po bëhet gjithnjë e më shumë prioritet për Qeverinë e Kosovës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të reformave shëndetësore, i ka kushtuar rëndësi të veçantë adresimit të nevojave të kësaj kategorie pwrmes legjislacionit tw ri.
“Jemi duke punuar që përmes legjislacionit , personave me nevoja të veçanta t’u krijohen qasje më të lehta në realizimin e shërbimeve shëndetësore”, tha Ministri Agani, duke theksuar se deri në fund të vitit, pritet që në nivel qeveritar të nxirret edhe Strategjia për këtë kategori të shoqërisë.

Ai ka theksuar se Kosova është një shembull i mirë i integrimit në shoqëri të kësaj kategorie dhe kjo më së miri shihet te fusha e shëndetit mendor ku personat me probleme të kësaj natyre, trajtohen në shtëpitë integruese në bashkësi, dhe jo në institucione të tipit të mbyllur.
Ministri Agani tha se Qeveria mirëpret rekomandimet e dala nga raporti dhe në hartimin e politikave sektoriale, do t’i kushtohet vëmendje e merituar kategorisë së personave me aftësi të kufizuara.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se raporti adreson dy dimensione: I pari që tregon se ai është i bazuar në evidencë shkencore dhe, i dyti -që tregon se adresimi problemeve të kësaj kategorie është aktivitet i ndërlidhur midis institucioneve, donatorëve , shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë.

Habit Hajredini, udhëheqës i  Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Kryeministrisë, tha se Qeveria e Kosovës ka adresuar çështjet sa i përket legjislacionit lidhur me këtë kategori të shoqërisë dhe në hapat e mëtejmë do të ndiqen ato parime që dalin edhe nga raporti me qëllim të adresimit të sfidave që parashtrohen në rrugën për përmirësimin e pozitës së personave me aftësi të kufizuar.

Kalle Konkolla , ish deputet i Finlandës ka sjellë përvojën e shtetit të tij në trajtimin e kësaj kategorie, duke kërkuar që institucionet kosovare, bashkë me shoqërinë civile të vazhdojnë hapat e nisur me qëllim të përmirësimit të pozitës së personave me aftësi të kufizuar.

Kurse, Raporti botëror mbi aftësinë e kufizuar është prezantuar nga Thomas Shaekspeare, përfaqësues i Zyrës Kryesore të OBSH-së në Gjenevë. Ai tha se çështje e aftësisë së kufizuar nuk është çështje vetëm e mbrojtjes shëndetësore, mbrojtjes sociale, por është çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe më shumë se kaq, prandaj, kërkoi që secila institucion të ketë politika të qarta sektoriale sa i përket përmirësimit të kushteve për personat me aftësi të kufizuar.

Raporti i prezantuar sot në Prishtinë, vë në pah faktin se prevalenca e aftësisë së kufizuar është e lartë dhe në botë ka mbi një miliardë njerëz me aftësi të kufizuar, prej të cilëve 110-190 milionë njerëz përjetojnë vështirësi të theksuara.
Raporti, gjithashtu  dokumenton të dhëna mbi shëndetin, rehabilitimin, ndihmën dhe përkrahjen, mjediset lehtësuese, edukimin dhe punësimin. Për secilën fushë, raporti nënvizon një seri shembujsh të praktikave të mira, të cilat Qeveritë dhe shoqëria civile mund t’i përdorin për të ndihmuar në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të përshtatshme në të cilën njerëzit me aftësi të kufizuara mund të prosperojnë.