Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Prizren u mbajt tryeza e rrumbullakët: Ndryshimi kulturor që po e sjellë zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit në shoqërinë tonë

Prishtinë, 25. 10. 2013

Organizuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim KADC, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Zyrën e OBSh-së në Kosovë, organizatën joqeveritare Ec më ndryshe, sot në Prizren u zhvillua një debat me Inspektorate mbikëqyrëse për zbatimin e ligjit për Kontrollin e Duhanit, përfaqësues të Policisë së Kosovës, shoqërisë civile dhe me qytetarë.
Në këtë debat u fol për ndryshimet që ka sjellë Ligji për Kontrollin e Duhanit  si në aspektin e të mirave për shëndetin publik, duke krijuar mundësi për mbrojtje nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore, ashtu edhe për ndryshimin kulturor, me vet faktin që ky ligj është mirëpritur nga qytetarët dhe ka gjetur një zbatim të mirë.

Në këtë debat, u theksuan masat që janë duke u ndërmarrë për zbatimin e ligjit, aktivitetet në zhvillim dhe u kërkua që koordinimi multisektorial të vazhdojë edhe në fazat e mëtejme si çelës i zbatimit të Ligjit.

Me që debati ishte në Prizren, inspektorët sanitarë komunalë të kësaj komune raportuan për mbi 800 inspektime të zhvilluara gjatë monitorimit të ligjit, ndërkohë që u paralajmëruan shkelësit e ligjit, se ditëve në vijim, do të përballen me inspektime të kombinuara dhe të asistuar edhe nga Policia e Kosovës, duke u ndëshkuar shkelësit.

Nga ky debat kanë dalë edhe rekomandime të qarta për nivelin lokal ku është themeluar një grup koordinues midis shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë për të kontribuar në zbatimin e ligjit; është rekomanduar ngritja e nivelit të vetëdijes dhe aksione për të parandaluar pirjen e duhanit edhe në vende ku zhvillohen aktivitete rekreative e sportive nga të rinjtë, të vazhdohet me monitorimin e rreptë të zbatimit të tij dhe shqiptimin e gjobave ndaj shkelësve të ligjit.