Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në QKUK përurohet shërbimi i dializës së fëmijëve

 

Prishtinë 07.11.2014

Në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot është bërë përurimi i shërbimit të dializës së fëmijëve, shërbim ky që ofrohet për herë të parë në Kosovë.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë,  Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe donatorët që përkrahen këtë projekt.

Dr. Muharrem Avdiu, Drejtor i klinikës së Pediatrisë, tha se ndjehet i lumtur që ky shërbim do të ofrohet për herë të parë në Kosovë për fëmijët, e që kryekëput është meritë e Dr. Lidvana Spahiu, por edhe punëtorëve të tjerë dhe donatorëve që përkrahen këtë projekt.

Dr. Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, tha se fillimi i shërbimeve në këtë njësi ka qenë shumë i nevojshëm dhe do të lehtësojë trajtimin e fëmijëve që kanë nevojë për të.  Ai përgëzoj profesionistët shëndetësorë që përkundër sfidave dhe vështirësive financiare me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësorë i vendit, asnjëherë nuk ndaluan së kontribuuari për hapjen e shërbimeve të reja.

Dr. Lidvana Spahiu, shefe e Repartit të Nefrologjisë në kuadër të Klinikës së Pediatrisë, tha se ky shërbim është funksionalizuar pas përpjekjeve të vazhdueshme, por edhe me përkrahjen e QKUK, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Rotary Klubit “Dardania” , kompanisë “Fresenius” që dha aparatet por edhe të donatorëve të tjerë.  “ Nga sot do t’i kemi dy aparate për hemodializë të fëmijëve dhe shpejtë do të fillojmë edhe me kryerjen e dializës perinatale”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, Dr. Ymer Elezi, shef i shërbimit të dializës në QKUK, tha se fëmijët e Kosovës më nuk do të kenë nevojë të bredhin për këtë shërbim në shtetet tjera meqë ky shërbim në mënyrë profesionale do të ofrohen në kuadër të Klinikës së Pediatrisë.

Dr. Hasime Terziqi, foli në emër të  Rotary klubit “Dardania”,  duke theksuar se kishte kënaqësinë që bashkë me anëtarët e tjerë të Rotari Klubit të ndihmojnë hapjen e këtij shërbimi.