Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Spitalin e Mitrovicës u vendos gurthemeli i Repartit të Pediatrisë

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se ndërtimi i këtij reparti do të ketë rëndësi të veçantë duke pasur parasysh edhe specifikat që i ka rajoni i Mitrovicës, ndërsa MSh, theksoi ai, është e përkushtuar që për Spitalin e Mitrovicës të sigurojë infrastrukturën dhe kuadrin profesional, me qëllim që qytetarëvë të kësaj zone t’u sigurohen shërbimet e nevojshme shëndetësore. Si shprehje të këtij përkushtimi, Ministri Agani tha se në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, MSh ka planifikuar të ndajë 2 milionë euro investime për këtë spital, të cilat do të mbështeten edhe nga nisma humanitare si kjo e shoqatës "Nëna Tereze".
Ministri Agani theksoi se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zhbllokimin e Ligjit të ri të Shëndetësisë, po krijohen mundësitë që spitali i Mitrovicës dhe punëtorët shëndetësor në vend të vendosen në një pozitë shumë më të mirë dhe me mundësi të ofrimit të shërbimeve shumë më cilësore shëndetësore për qytetarët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se projekti për Repartin e Pediatrisë në SR të Mitrovicës është mjaft i qëlluar dhe me kapacitetet prej 20-25 shtertërve sa pritet t’i ketë, do të ofrojë mundësi për pediatrit e spitalit që të ofrojhnë shërbime të mira shëndetësore.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se hapja e këtij reparti do të jetë një ndihmesë për Spitalin e Mitrovicës që me ndihmën e Ministrisë, të bëhen zgjidhjet adekuate për shërbimet shëndetësore në këtë spital.
Përfaqësuesi i Shoqatës "Nëna Tereze", Shaqir Gashi, i ka garantuar banorët e rajonit të Mitrovicës se reparti do të ndërtohet dhe kompletohet me të gjitha pasjisjet e nevojshme dhe do të jetë model për repartet e pediatrisë kudo.
Drejtori i SR të Mitrovicës, Agim Peci, ndërkaq, tha se ky spital para së gjithash do t’u shërbejë fëmijëve të rajonit të Mitrovicës dhe ka falënderuar donatorit për ndihmën.
Reparti i Pediatrisë në SR të Mitrovicës do të ketë sipërfaqe prej 1.200 metra katrorë dhe me një kapacitet prej 20-25 shtretërish me mundësi zgjerimi.