Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Në Tiranë është mbajtur konferenca ndërkombëtare: Menaxhimi-Sfidë e Sistemit Shëndetësor

 

“Pasi që ne të gjithë synojmë integrimin euro-atlantik, është e domosdoshme të synojmë edhe arritjen e standardeve evropiane në fushën e kujdesit shëndetësor.  Vetë tema që do të diskutohet në këtë konferencë nënkupton veprime që bashkojnë njerëz për të arritur qëllime dhe objektiva të dëshiruar në mënyrë efikase dhe efektive përmes planifikimit, organizimit, përzgjedhjes së stafit si dhe përmes udhëheqjes, drejtimit dhe organizimit”, ka theksuar Ministri Bukoshi. Ai ka potencuar se përderisa në shtetet e zhvilluara insistohet në “Total Quality Management”, duhet të jemi realistë se në Kosovë momentalisht nuk ka shumë për të menaxhuar.
“Mjekësia e mirë është mjekësi e shtrenjtë. T’ju përkujtoj se shëndetësia e Kosovës doli e dëmtuar nga regjimi dhjetëvjeçar represiv serb. Falë punës së madhe të punëtorëve shëndetësorë dhe përkrahjes së pakursyer nga ndërkombëtarët, kemi arritur disa rezultate modeste por të pamohueshme. Kjo natyrisht nuk mjafton sepse pritjet dhe kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka sigurime shëndetësore. Shpenzimet publike për shëndet janë vetëm 45 Euro për kokë banori. Qytetari paguan nga xhepi i tij 60% të kostos së përgjithshme dhe vetëm 40% mbulohen nga buxheti. Buxheti i Kosovës ndan vetëm 7.6% për shëndetësi”, ka theksuar ministri Bukoshi, duke vlerësuar konferencën si një rast të mirë të këmbimit të opinione dhe ideve të vlefshme rreth çështjes së menaxhimit nga të gjitha aspektet.